Joe Biden ka zgjedhur Kamala Harris si kandidate për t’u bërë nënpresidente në zgjedhjet që do të mbahen në nëntor në SHBA. Harris është gruaja e parë amerikane me ngjyrë që kandidon për një pozitë të tillë. Disa muaj më parë, ajo aspironte për presidente, por tashmë mund të zërë vendin e nënpresidentes së SHBA-ve. Një vit më parë, senatorja e Kalifornisë konkurroi në një garë të fortë mes shumë kandidatëve demokratë për president, madje ishte edhe një prej kritikëve më të ashpër të kandidatit që e zgjodhi për të qenë nënpresidente, Joe Biden. Sot, së bashkë me Biden, 55-vjeçarja është emëruar për pozitën e nënpresidentes.
Po pse Biden zgjodhi Kamala Harris si kandidate për nënpresidente në zgjedhjet e 3 nëntorit?
Thuhet se kjo ishte një strategji e mirëmenduar e kandidatit për president dhe e grupit të tij. Ka disa arsye pse, në një moment të tillë, Biden zgjodhi pikërisht Harris.Duke e pozicionuar Harris në një post të tillë, Biden bëri histori jo vetëm për të luftuar racizmin, por edhe për “të fituar pikë” në zgjedhjet e 3 nëntorit. Sipas raportimeve të mediave amerikane, Harris thotë se është gjithmonë rehat me identitetin e saj. Ajo thjesht e përshkruan veten si amerikane. Në vitin 2019, ajo tha për Washington Post se politikanët nuk duhet të krijojnë ndarje për shkak të ngjyrës së tyre. Ndërsa mesazhi që i bëri edhe një herë tjetër krenarë të gjithë amerikanët me ngjyrë, por edhe të tjerët në të gjithë botën, është ai që Harris tha më 19 gusht.
“Nuk ka vaksinë për racizmin. Ne duhet të bëjmë punën”,- tha Harris në fjalimin e ditës së tretë të Konventës Kombëtare Demokratike. “Për George Floyd, për Breonna Taylor. Për jetën e shumë të tjerëve, për fëmijët tanë dhe për të gjithë ne. Duhet të bëjmë punën për të përmbushur premtimin për drejtësi të barabartë para ligjit. Sepse, askush nga ne nuk është i lirë derisa të gjithë të jemi të lirë”.
Kush është Kamala Harris?
Harris lindi në Oakland të Kalifornisë (1964) nga dy prindër emigrantë: nëna me origjinë indiane dhe babai i lindur në Xhamajka. Pas shkurorëzimit të prindërve, Harris u rrit kryesisht nga nëna e saj hindu, Shyamala Gopalan Harris, një studiuese për kancerin dhe aktiviste për të drejtat civile. U rrit me trashëgiminë e saj indiane, duke iu bashkuar nënës në vizitat e saj në Indi, megjithatë, Harris thoshte se nëna e saj adoptoi kulturën “e zezë” të Oaklandit. Vitet e para si senatore i kaloi në Kanada. Kur Gopalan Harris mori mësime në Universitetin McGill, Harris dhe motra e saj e vogël, Maya, shkuan me të, duke ndjekur shkollimin për pesë vite në Montreal. Ndoqi kolegjin në SHBA, duke kaluar katër vjet në Universitetin e Howardit, një nga kolegjet më me emër të vendit, vitet e të cilit ajo i ka cilësuar si ndër përvojat më formuese të jetës së saj. Pas katër vitesh në Howard, Harris fitoi gradën si juriste në Universitetin e Kalifornisë, Hastings, dhe filloi karrierën në Zyrën e Prokurorit të Qarkut Alameda. U bë avokate e qarkut, prokurore e lartë për San Francisko në vitin 2003, përpara se të zgjidhej gruaja e parë që shërbeu si avokate e përgjithshme e Kalifornisë. Në gati dy mandatet e saj si avokate e përgjithshme, Harris fitoi një reputacion si një nga yjet në rritje të Partisë Demokratike, duke përdorur këtë moment për të nxitur zgjedhjen e saj si senatore e re e në vitin 2017 nga Kalifornia.








