Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero thotë se Shqipëria e kaloi pikun e epidemisë me koronavirusin dhe tani ka filluar ulja.
“Një javë e re me më pak numra, dëshmon një trend të rënies së epidemisë në vendin tonë, shpresojmë që të vijojë kështu edhe pse është e pamundur për të bërë parashikime. Tani është java e tretë, kemi një rënie të numrave cka besoj fort se shkon në logjikën apo ecurinë e kësaj epidemie edhe në vendet e tjera dhe do të thotë se e kemi kaluar pikun dhe sheshpushimin dhe besoj se kemi. filluar uljen. Ukja do të jetë graduale, gjysma e dytë e kësaj epidemie do të jetë më e gjatë në kohë, duhet të mos ulet vigjilenca” – tha Pipero.
“Shikoj ecurinë e dy javëve të fundit, para javës që kaluam, ishim 140 apo 148 raste, në këtë që lamë 108 apo 109, 40 raste më pak. Rënia pavarësisht luhatjes në fundjavë, ishte për shkak të një vatre të re, një shpërthimi të ri në Shkodër, në përgjithësi situata në vendin tonë është nën kontroll dhe përgjithësisht e qetë. Indikatorët tregojnë trendin në ulje të epidemisë në vendin tonë, nuk do të thotë të festojmë, është ende herët për të festuar fitoren. Kemi kaluar një fazë shumë të vështirë, një betejë që mund të quhet sukses, por për ta mbajtur duhet vëmendje dhe durim deri ne fund‘ – theksoi Pipero.
Por kur përfundon kjo situatë e shkaktuar nga koronavirusi dhe si do të evolojë procesi i zbutjes së masave?
“Është e pamundur parashikimi. Ne studiojmë ecurinë e kurbave dhe shikojmë ecurinë vendet e tjera, Kina, Italia, Franca, Amerika, etj. Në opinionin tim, jo parashikim, por opinion, është që ecuria e pandemisë ka qenë e zbutur, numrat janë në rënie, t’ia lëmë kohës ta vërtetojë. E pamundur të parashikojmë kur do të shuhet tërësisht. Epidemia do të quhet e tejkaluar më së paku 4 muaj nga fillimi, por një muaj duhet pa raste të reja.
Nëse do të konsideronim fundin e qershorit, do të thotë nga fundi i majit në fund të qershorit nuk duhet të ketë asnjë rast për ta cilësuar të tejkaluar, po ashtu edhe në vendet e tjera, pasi bota është e hapur. Ne duhet të përgatitemi për një zgjatje, gjysmë të dytë relativisht të gjatë, duke konsideruar se gjysma e parë unë e quaj të kaluar. Në këtë këndvështrim duhet që edhe për disa javë të jemi vigjilentë. Të respektohen vendimet e marra nga qeveria. Këtu do të kalojë me më pak dhimbje se në vendin tonë” tha ai në një lidhje për “Repolitix” në Report Tv.