Armand Plaka, një gazetar i apasionuar pas arkivave, historisë, por edhe futbollit, ka sjellë për ndjekësit e vet në Facebook një video-kronikë të rallë, që flet për një miqësore mes një seleksioni të Tiranës dhe Varshavës, që në fakt, referuar kohës, vitit 1953, është përballje mes dy kombëtareve të vendeve tona. Sqarimet e hollësishme i jep vetë Plaka, përkrah videos përkatëse, si më poshtë:
“Një videokronikë e rrallë, e vitit 1953, të cilën e shkëputa nga arkivat polake, na shfaq një takim futbollistik të atij fillimviti (kronika nuk e përmend, por bëhet fjalë për 7 janarin e vitit 1953 në Varshavë), të cilin statistikat tona thuajse nuk e përmendin fare. Takimi miqësor mes një seleksioni të Tiranës (dmth Kombëtares Shqiptare) dhe Varshavës (dmth Kombëtares Polake). Ndërsa bie në sy menjëhere një atmosferë e zjarrtë në një stadium të mbushur plot e përplot, përmendet aty portieri legjendar i Kombëtares, Qemal Vogli, dhe në start të kronikës shfaqet në dhomat e zhveshjes një pjesë e ekipit shqiptar. Videokronika është pjesë e një ditari televiziv e kinematografik sportiv të muajit mars 1953, e cila tashmë gjendet në fondin e digjitalizuar të Arkivave Kombëtare Polake. Takimi pati mbaruar me rezultatin 2:1 për seleksionin polak.
Në fund të po atij viti, më 29 nëntor 1953, Shqipëria mundi megjithatë Poloninë në Tiranë me rezultatin 2:0, ku patën shënuar të paharrueshmit Loro Boriçi dhe Refik Resmja. Kronika e kësaj të fundit nuk përbën ndonjë risi, sepse gjendet ndërkaq prej vitesh në youtube dhe mund të shijohet nën komentin origjinal në gjuhën shqipe. Është gjithashtu pjesë e fondit zyrtar të Kombëtares Polake. Kurse kronika që po postoj duket se i ka shpëtuar vëmendjes së dy federatave dhe medias sportive e asaj historike në të dy krahët, Poloni dhe Shqipëri. Duhet theksuar se në atë kohë zhviĺloheshin shumë takime miqësore mes kombëtareve, ekipeve dhe seleksioneve punëtore, apo ushtarake nga ish-Kampi i Demokracive Popullore, ku bënin pjesë edhe Shqipëria dhe Polonia. Takimi në fjalë përbënte të tretin mes dy vendeve, ndërsa më parë ata ishin ndeshur në 1949 në Varshavë dhe në 1950 në Tiranë, ku Shqipëria kishte humbur 1:2 në takimin e parë dhe barazuar pa gola në takimin e dytë”.









