Në Torino, këtë verë zbarkuan dy legjionarë kuqezi, Asllani dhe Ismajli, dy nga emrat më të lakuar në atë periudhë në Serie A. Në radhët e klubit granada festuan, në një kohë shiheshin si dy afrime shumë cilësore, por për fat të keq, asnjë nga dy legjionarët nuk ka arritur të ngjitet në lartësinë e pritshmërive.
Asllani është në qendër të projektit, lojtari me më shumë prekje të topit, por mesfushori kuqezi nuk ka arritur ende të gjejë golin e tij të parë dhe nuk ka dhuruar asnjë asist, për të mos thënë që gaboi një penallti në shtesë duke i hequr nga duart një pikë përballë Lecce-s.
Tek Ismajli diskutimi është ndryshe pasi mbrojtësi kuqezi më shumë ka qëndruar në bokse, i dëmtuar. Ismajli është sërish në dyshim edhe për sfidën e radhës në Serie A, atë kundër Cremonese.
Si të mos mjaftojnë shifrat dhe numrat, dyshja kuqezi e Torinos kanë marrë një mesazh në distancë ka presidenti i këtij klubi, Urbano Cairo, u shfaq i pakënaqur nga merkato e verës. Gjatë prezantimit të drejtorit të ri sportiv, Petrachi, Cairo theksoi: “Fushata e blerjeve, deri më sot, nuk ka dhënë frytet që shpresonim. Kjo nuk do të thotë që këto lojtarë nuk mund të japin rezultate dhe të bëjnë ndeshje të mira. Disa prej tyre kanë kaluar dëmtime, pastaj pret edhe më shumë pasi ke shpenzuar për ta. Unë pres që të nxjerrin në pah potencialin që kanë dhe të na japin rezultate të mira”, u shpreh presidenti i Torinos.








