Kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, ka bërë të ditur me anë të një postimi në faqen e tij në Facebook largimin nga detyra të kreut të Shërbimit Zjarrfikës, Kujtim Bizhga dhe komandimin në vend të tij të Pëllumb Shalarit.
“Me drejtues të Shërbimit Zjarrfikës në Gjirokastër, për të diskutuar mbi situatën e emergjencës që patëm në javët e fundit, si dhe për të komunikuar nevojën për ta rritur efikasitetin e punës në një tjetër nivel. Ky shërbim kaq jetik për sigurinë e jetës e të pronës në rast zjarri, duhet të jetë në lartësinë e sfidave me të cilat përballemi sidomos gjatë stinës së verës. Sigurisht që përveç pjesës logjistike dhe infrastrukturës, shërbimi zjarrfikës është gjithashtu edhe çështje menaxhimi. Për t’i dhënë një tjetër dinamikë, sot kam prezantuar edhe drejtorin e ri të komanduar të shërbimit, Pëllumb Shalari. Falënderoj shumë ish-drejtuesin, Kujtim Bizhga, për kontributin dhe profesionalizmin e treguar për vite me radhë. Ai do të vijojë të jetë pjesë e këtij institucioni në një funksion tjetër duke dhënë ekspertizën e tij. Gjej sërish rastin të bëj apel te qytetarët për të mos bërë shaka me zjarrin. Nëse ju nuk tregoheni bashkëpunues e të përgjegjshëm, gjithçka bëhet shumë më e vështirë edhe për shërbimin zjarrfikës.”, shkruan Golemi.









