Pas deklaratave të presidentit të vendit, Ilir Meta se shërbimet shqiptare duhet të jenë të përgatitura, pasi mund të ketë të tjera provokime pas vrasjes së ekstremistit grek Konstantinos Kaçifas, një reagim ka ardhur edhe nga prindërit e minoritarit. Në një prononcim për “Star”, nëna e Kaçifas, Vasilia u shpreh se ndërkohë që të gjithë kishin frikë të flisnin, ajo do ta ngrinte zërin për të treguar që ndaj tyre po ushtrohej presion.
“Unë nuk kam frikë… Të gjithë kanë frikë të flasin. Pse na ushtrojnë presion? Ne nuk kemi lënduar askënd. A nuk është kjo diçka e papranueshme?”, tha Vasilia Kacifa, nena e Kostandinit.
Pas vrasjes të së birit, edhe i ati Jani tha se autoritet shqiptare duan që minoriteti grek të jetojë me frikë.
“Ata nuk e bëjnë për asgjë tjetër veçse për të na trembur. Duan që të na bëjnë të jetojmë me frikë. Mirë që do kemi frikë, por nga se? Ata më morën djalin tim. Tani ne duhet t’i tregojmë atyre forcën tonë”, tha Jani Kaçifas, i ati i Konstandinos Kaçifas.
Disa ditë më parë, Meta deklaroi se situata të tilla nuk ishin sporadike dhe se duhej të bëhej një analizë e plotë e rastit të Kaçifas, i cili u vra gjatë një shkëmbimi zjarri me forcat RENEA në Bularat të Gjitokastrës.