Kadri Hazbiu ishte ministër dhe drejtuesi më jetëgjatë i Sigurimit të Shtetit gjatë komunizmit.
Më 15 tetor 1982 arrestohet dhe nis procesi gjyqësor kundër tij, i cili ishte një ndër më të bujshmit e epokës së diktaturës, jo vetëm për numrin e madh të të dënuarve, por edhe për cilësitë e veçanta të të gjykuarve si ish-funksionarë të lartë të Policisë Sekrete.
Në mesnatën e 9 shtatorit 1983, Kadri Hazbiu dhe të dënuarit e tjerë shkuan para skuadrës së pushkatimit, diku në shpatet e kodrave të Linzës.
Më 10 shtator 1983 ekzekutohet pasi u dënua për tradhti të lartë ndaj atdheut si “armik i popullit dhe i Partisë”.
Eshtrat u gjeten ne netor 1995 e tij në afërsi të Selites dhe u rivarrosen nga familjarët.
Gjyqi pati deshmi te shumta, shumica e te cilave u kundershtua nga Hazbiu.
Dëshmia me poshte i perket zbuluesit Tahir Malo dhe u dha në seancën e 25 të gjyqit. Dosja e plote sekrete u botua nga gazeta DITA.
Malo që ka drejtuar për shumë vite ‘Sektorin për Kosovën’, në dëshminë e tij pretendon raste të ndëshkimeve sistematike të anëtarëve të ‘grupit agjenturor’ në drejtim të kosovarëve.
“Unë kam survejuar e dokumentuar takimet që bënte Marjeta Shehu, gruaja e Bashkimit, djalit të Mehmetit me zbuluesin e ambasadës franceze Alen Zherar. Takimet zhvilloheshin tek liqeni artificial, 15-katëshi dhe në plazh në Durrës. Kam informuar rregullisht të pandehurit Feçor Shehu e Kadri Hazbiu” -dëshmon mes të tjerave në këtë seancë zbuluesi Malo…
Kryetari(Aranit Çela): -Të kemi thirrur ty Tahir Malo për ato tre çështjet që ke dëshmuar në hetuesi. E para, lidhur me akuzat për të pandehurit lidhur me trajtimin e elementit kosovar. E dyta, mbi heqjen e përgjimit nga ambasada franceze dhe e treta, lidhur me çështjen që ka të bëjë me zbuluesin francez Alen Zherar me këtë Marjeta Shehun? Këto tre çështje…
Tahiri: -Që nga viti 1964 deri në vitin 1975 kam punuar në drejtim të problemeve lidhur me Kosovën. Jo në kundërzbulim, por në zbulim dhe në degë të veçantë që ka qenë për Kosovën. Merreshim me trajtimin e elementit kosovar në vendin tonë dhe me veprimtari të zbulimit. Gjatë këtyre viteve që kam punuar dhe në kohën e ardhjes së të pandehurit Feçor Shehu në ministri kam konstatuar ato probleme që trajtonim ose që kërkonim të trajtonim për një trajtim që ishin në kundërshtim me Drejtorinë e Parë të Sigurimit të Shtetit, gjithmonë shkonin në favor të kundërzbulimit. E kam fjalën, që disa djem kosovarë, disa djem të rinj që vinin nga Kosova, ose të atillë kosovarë që punonin në radhët tona, nuk trajtoheshin në vijën që kërkonte Partia. Për këtë unë kam vajtur disa herë tek Kadri Hazbiu. Por përfundimisht vendosej ashtu siç e kërkonte Feçor Shehu.
Ja një shembull. Ishte një person që kishte punuar aktivisht me organet e zbulimit, malazez me origjinë. Edhe babai i tij kishte punuar disa vjet në dobi të zbulimit tonë. Para vdekjes, i ati u dekorua me Medalje Trimërie. U nderua dhe djali për punën që kishte bërë. Në varrimin e të atit vajti një pjesë e madhe e efektivit të zbulimit, ku u mbajt dhe një fjalim. Pas 5 vitesh, djali i tij, me 7 fëmijë, propozohet për t’u arrestuar. Ne ishim kundër… U dënua për agjitacion e propagandë, na u tha se ishte agjent i jugosllavëve… Kështu, ka shumë raste të tilla…
Ndihmësgjyqtari: -Nga kush iu tha që është agjent ai?
Tahiri: -Nga i pandehuri Feçor Shehu, ishte drejtor i pandehuri në atë kohë. Më kujtohet një rast në Elbasan, ishte bashkëpunëtor i zbulimit. Bëmë gjithë ato kombinacione për t’ia sjellë familjen në Shqipëri. Ja prumë, i çuam dy fëmijët në universitet. U shkolluan, një ri u bë mjek, një u bë farmacist… U dekoruan të dy me Urdhrin e Punës… Na vjen një ekip në Elbasan që kryesohej nga Kadri Hazbiu. Ai vendos për t’i goditur dhe i goditi. U dënuan për agjitacion e propagandë…
Edhe një rast tjetër po u përmend, një djalë nga Kosova i ardhur në Shqipëri, i dërguar nga një organizatë revolucionare. E mbajtëm disa vjet në Gjirokastër për të mos rënë në kontakt me emigracionin që mund ta njihnin… Me kombinacion, i prumë këtu të ëmën dhe vëllanë. Mbaroi universitetin shtetëror dhe e çuam profesor në Lezhë. Pastaj me urdhër të Feçor Shehut e dënuam për agjitacion e propagandë…
Kryetari: -Po ti i shikoje këto, për agjitacion e propagandë…
Tahiri: -Unë nuk i shikoja dosjet, se nuk e kishim kundërzbulimin. E kemi ngritur këtë problem, por nuk na dëgjonin… Gjithashtu, edhe për riatdhesimin në Jugosllavi të mjaft kosovarëve, ne nuk kemi qenë dakord, por ata janë riatdhesuar. Pas ngjarjeve në Kosovë (viti 1981), ata na i kthyen përsëri. Për këta, i pandehuri Feçor Shehu kishte dhënë urdhër të prerë që të gjithë këta do të rikthehen në Jugosllavi.
Kryetari: -Mund të ishin dhe vagabondë ata?
Tahiri: -Jo s’ishin. Ishin dhe pjesëtarë të ngjarjeve në Kosovë. Këta nuk ishin njerëz të tillë, ishin njerëz me pikëpamje politike të drejta, me dashuri të madhe për Partinë e shokun Enver…
Kryetari: -Lidhur me atë çështjen tjetër, të ambasadës franceze?
Tahiri: -Ambasada franceze, përveç godinës që kishte në rrugën e Elbasanit, kërkonte një godinë të re, që e kishte pasur një ambasadë tjetër… Ambasada franceze, nëpërmjet Ministrisë së Jashtme kërkonte që të bënte disa riparime në godinë… Erdhën nja 3-4 specialistë francezë. Ne bëmë kujdes që mjetet, mikrofonët, mos zbuloheshin… I pandehuri Feçor Shehu, kur filloi puna, dha urdhër që mikrofonët e përgjimit të bllokoheshin. Sipas tij, urdhrin e kishte marr nga Mehmet Shehu. U bllokuan, u bë raporti, u firmos, por Feçori nuk firmosi, firmosi zëvendësi i tij.
Përsa i përket problemit të punonjësit të ambasadës franceze Alan Zherardit. Në verën e vitit 1981, shtator duhet të ketë qenë, një nga survejuesit, duke qenë në shëtitje, i tërhoqi vëmendjen ky punonjësi i ambasadës franceze… E merr në survejim këtë Alen Zherardin. Dhe konstaton në afërsi të universitetit Shtetëror të Tiranës, në krahun e stadiumit kombëtar ‘Qemal Stafa’, atje ku ka një pyll me plepa, konstaton se Marjeta Shehu me një fëmijën e saj të vogël ulet në një stol atje dhe takohet me Alen Zherardin. Qëndron një kohë atje me të. Raporti thoshte shprehimisht, ishte i shkruar raporti…
Pasi u shkëput nga zbuluesi francez, Marjeta Shehun e pret një makinë, makina që e përdornin familja e armikut Mehmet Shehu. Dhe ikën me makinë. Zbuluesi futet në hotel ‘Dajti”, e nga aty, në ambasadë. Këtë raport e ka shkruar nënkryetari i degës që merrej me survejimin… Me raportin, shkuam tek i pandehuri Feçor Shehu. Ja lexova raportin, se filloi vetë, po nuk e lexonte dot shkrimin e atij zbuluesit… Urdhëroi që të verifikohet, e pas ekspertimit, të shkonim t’i raportonim. Bëmë këto, shkuam e ja paraqitëm Feçorit. I pandehuri Feçor Shehu urdhëroi që Alen Zherardi të merrej në survejim të pandërprerë në Tiranë, në Durrës ku shkonte me makinën e barkën e vet, apo kudo që të lëvizte…
Zbuluesit e fiksuan gjatë dhe fiksuan gjithçka…
Fiksuan edhe një takim tjetër në Durrës, ku Marjeta Shehu dilte me motoskaf ndërsa francezi ishte në atë barkën e kanotazhit. Dhe takuan me njëri-tjetrin në det, ndërsa zbuluesit e vrojtonin nga toka. Dhe ky raport iu dha të pandehurit Feçor Shehu, i cili e lexoi dhe mori dijeni të plotë. Pasi u mbajt dhe ca kohë në survejim, Feçor Shehu urdhëroi që të hiqej nga survejimi ky dhe gjithë personeli i ambasadës. Këtë e argumentoi se gjoja po e fusnim Sigurimin e Shtetit në rrugë të gabuar, në gjëra që nuk ekzistojnë… Këto të dhëna nga survejimi, unë ja kalova Drejtorisë së Dytë. Pas nja dy muajsh, Drejtoria e Dytë na e ktheu duke u justifikuar se nuk kemi çfarë t’i bëjmë. “Kemi biseduar dhe me ministrin Feçor Shehu, por tha se këto të dhëna nuk qëndrojnë, keni bërë gabim që jeni marrë me gjëra të tilla” -tha Feçori. Ndërsa Komiteti Qendror i Partisë, nuk u informua për këto të dhëna.
Më vonë, kur dolën të dhëna të tjera për takimet e Alen Zherardit me Marjeta Shehun, kur pati dhe një informacion nga Komiteti Qendror i Partisë për një takim në hotel ‘Tirana’ pra, kur kishte kaluar një vit e ca, atëherë Feçor Shehu tha se kam informuar Udhëheqësin e Partisë(Enver Hoxhën). Gjatë gjithë kohës, kam vënë re se me pretendime të ndryshme, i pandehuri Feçor Shehu, ja fshihte informacionet e plota Partisë…
Kryetari: -Në lidhje me këtë, kur bëre informacionin pastaj?
Tahiri: -Për informacionin lart, u caktuan dy zëvendësministra dhe unë me ta. Ishim në zyrën e Mehmet Çakës, bashkë me Raqi Ifticën dhe Mehmet Çakën. I pandehuri Feçor Shehu erdhi atje dhe u mundua për të na thënë që këto janë probleme që janë informuar dhe nuk ka mbetur gjë pa u informuar Komiteti Qendror?!
Desha të theksoj diçka për sa i përket personelit të ambasadës franceze dhe të teknikës së survejimit në përgjithësi. I pandehuri Feçor Shehu na thoshte që duhet të keni kujdes të veçantë me francezët, e se ‘këtë e kam porosi dhe nga Kadri Hazbiu,’ për arsye se mjaft shokë nga udhëheqja e Partisë shkojnë në Francë për t’u kuruar…
Kryetari: -Po në lidhje me informacionin, ke thënë diçka që kur bëtë ju informacionin, Feçor Shehu ka thënë që të vini domethënë, këto informata që keni pasur për Marjeta Shehun, e këto s’kanë qenë të sakta?
Tahiri: -Ky rasti ka qenë kur bënim informacionin, që duhet thënë se janë të pasakta, të pavërtetuara, domethënë, janë burim i survejimit…
Ndihmësgjyqtari: -Kemi një pyetje shoku kryetar, nëse mbani mend për ata kosovarët e dëbuar, ishin për agjitacion e propagandë, apo për spiunë?
Tahiri: -Jo, vetëm për agjitacion e propagandë, asnjeri për spiun…
Prokurori(Rrapi Mino): -Po për Qazim Turdiun, keni bërë ndonjë informacion?
Tahiri: -Unë kam një informacion me urdhër të të pandehurit Feçor Shehu që i kanë vajtur Mehmet Shehut për dy biografi, për dy persona, për Kreshnik Tartarin dhe për një mjek në maternitet, të cilët i kërkonte sipas porosisë…
Kryetari: -Keni ndonjë pyetje?
Feçor Shehu: -Këto arrestimet e emigrantëve kosovarë i bëja unë apo vinin rregullisht nga rrethet…?
Tahiri: -Kjo është praktikë e njohur… Por ama, po mos vinte firmë i pandehuri Feçor Shehu, nuk mund të miratohej asgjë…
Kryetari: -Ju keni kundërshtuar për këto?
Tahiri: -Kemi kundërshtuar edhe tek Kadri Hazbiu dhe tek Feçor Shehu…
Kryetari: -Tjetër pyetje ka…?
Feçor Shehu: -Unë kam thënë, pasi erdhe ti, që raportove se ai Alen Zherardi na ka ekspozuar edhe po tallet me survejimin. Është e vërtetë kjo?
Tahiri: -Nuk i kam thënë… Edhe, i pandehur Feçor Shehu, duhet të dini një gjë, që duke kryer survejimin sipas urdhrave tuaja, në atë mënyrë e në atë formë që e organizuam, patjetër që zbuluesi francez që do ta zbulonte. Ka të bëjë me qëllimet e tuaja…
Kryetari: -Tjetër pyetje ka?
Feçori: -Për të bërë këtë informacionin për udhëheqjen e Partisë, nga kush është ngarkuar?
Tahiri: -Mua më thirrën Mehmet Çaka dhe Raqi Iftica…
Feçori: -Po këtyre, Mehmet Çakës e Raqi Ifticës kush ua ka kërkuar?
Tahiri: -Mehmet Çaka është gjallë, Raqi Iftica është gjallë, të gjitha çështjet ua kam dhënë unë…
Prokurori(Rrapi Mino): -Po kur, në ç’kohë?
Feçori: -Ky informacion është jo vetëm për këtë, por për çfarë kishim ne në Ministrinë e Brendshme…
Kryetari: -Mirë, po kur është bërë?
Feçori: -Kur u vra Mehmet Shehu…
Kryetari: -Pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut…
Feçori: -Kemi bërë para vetëvrasjes së Mehmet Shehut ne dy raporte për këtë problem dhe ja kemi dërguar Komitetit Qendror…
Kryetari: -Ke bërë?
Feçori: -Si, kemi bërë ne raporte për takimet e Marjeta Shehut!
Tahiri: -Jo. Ju keni thënë para meje e zëvendësministrave që keni njoftuar gojarisht Komitetin Qendror. Raport me shkrim nuk ekziston.
Kryetari: -Tjetër gjë ke? Mund të largohesh… (DITA)