Një javë më parë u prezantua projekti Nivica, në konferencën e Institutit të Arkeologjisë Amerikane. Ky Institucion shkencor më i vjetri ne Ameriken e Veriut, mbledh arkeologe dhe studiues nga e gjithë bota për të prezantuar projekte dhe kërkime të një rëndësie ndërkombetare.
Krahas një numri prezantimesh të projekteve ndërkombëtare, u prezantua edhe projekti ‘NIVICA’, një bashkëpunim shqiptaro- çek i iniciuar dy vite më parë, i cili ka në fokus studimin e krahinës malore të Kurveleshit, një krahine e jugut shqiptar midis Tepelenës dhe bregdetit. Nivica është e mjaft e pasur me site arkeologjike dhe monumente të kulturës, të cilat përbëjnë një joshje të madhe për arkeologë nga e gjithë bota. Projekti Nivica është tashmë një model i suksesshëm, jo vetëm i zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm, por edhe si një mundësi e lidhjes së zonave bregdetare me ato malore për të krijuar një produkt unik turistik.
Ky Projekt, i cili është pjesë e një projekti ambicioz për të rimëkëmbur këtë krahinë me potencial të madh turistik, ka mundur të tërheqë interesin e studiuesve dhe arkeologëve të Universitetit të Bernos dhe Universitetit të Karlit në Republiken Çeke, të cilat së bashku me Bashkinë e Tepelenës kanë vendosur një bashkepunim afatgjatë në fushën e trashëgimisë kulturore.









