Klodian Braho do të jetë drejtuesi i ri i SPAK për tre vitet e ardhshme. Braho do ta marrë detyrën me 19 dhjetor, një ditë pas përfundimit të mandatit të Altin Dumanit në krye të Prokurorisë së Posaçme.
Ai ka patur një rrugëtim të gjatë në sistemin e drejtësisë, duke mbajtur pozicione të rëndësishme në hetimin e rasteve të korrupsionit.
Braho ka një karrierë të gjatë në hetime të nivelit të lartë dhe ka ndjekur çështje që lidhen me zyrtarë të rëndësishëm dhe subjekte të dyshuara për krim të organizuar.
Gjatë karrierës së tij, Braho ka qenë pjesë e hetimeve për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe ka firmosur arrestimin e ish-ministrit Lefter Koka për aferën e inceneratorëve.
Ai gjithashtu çoi në pranga ish-drejtuesin e Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm në çështjen “Toyota Auris”, si dhe gjyqtarin e Fierit, Roland Hysi, i dyshuar se kërkoi favore seksuale për një vendim gjyqësor.
Braho ka shërbyer në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe më pas në Tiranë si prokuror pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Ai është njohur për profesionalizmin dhe përkushtimin në hetime të ndërlikuara, duke çuar në gjykim edhe persona me pozita të larta politike.
Nga 19 dhjetori 2019, Klodian Braho është pjesë e SPAK. Ndër dosjet që ka ndjekur përmendet ajo e Toyota Yaris, 5 D si dhe ka kryesuar hetimet për ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj.









