Pamje tmerri kanë pushtuar kryeqytetin e Greqisë, Athina pasi qendra e Nea Smyrni u shndërrua në një zonë lufte për disa orë të martën. Grupe protestuesish kanë nisur sulmet ndaj policisë me bomba molotov dhe gurë. Mediat greke shkruajnë se gjatë protestave u sulmua brutalisht një polic, i cili mbeti i plagosur rëndë. Disa nga kolegët e tij formuan një rreth tij për ta mbrojtur derisa arriti një ambulancë për ta transferuar në spital.
Mediat greke, gjithashtu kanë raportuar se në tubim morën pjesë afro 5,000 njerëz për të protestuar kundër dhunës së policisë, në vazhdën e pamjeve virale që u shfaqën të dielën, të cilat tregonin që oficerët sulmonin një burrë në Nea Smyrni. Më herët të martën, Kryeministri Kyriakos Mitsotakis akuzoi opozitën SYRIZA për cënimin e masave për të kufizuar përhapjen e koronavirusit duke bërë thirrje për protesta, midis tensioneve të rritura që nga incidenti i së Dielës.
“Thirrja zyrtare e SYRIZA për pjesëmarrje në tubimet e protestave të qytetarëve në mes të pandemisë është një akt i papërgjegjshmërisë së madhe,” tha Mitsotakis.









