Teksa opozita është përfshirë në një krizë të vazhdueshme që një Zot e di se kur do të marrë fund, Partia Socialiste ka nisur fushatën në terren për zgjedhjet e vitit 2023. Mjafton të shohësh takimet që publikojnë në rrjetet sociale deputetët, kryebashkiakët dhe zyrtarët e tjerë të PS-së. Sot në Gjirokastër socialistët kanë zhvilluar një takim me koordinatorët dixhitalë të partisë, për të cilët kryebashkiaku Flamur Golemi uroi me humor që të mos i marrin m’sysh.
“Po the Gjirokastra i ke thënë të tëra edhe kur është fjala te organizimi i Partisë Socialiste në hapësirën dixhitale Faleminderit me zemër çdo aktivisti e anëtari të zakonshëm për angazhimin e vazhdueshëm plot përkushtim. Larg syri keq larg…”, shkruan Golemi.
Po çfarë janë koordinatorët dixhitalë dhe rrjeti i tyre në parti? Kryesisht janë aktivistë dhe anëtarë partie apo simpatizantë të zakonshëm që bëjnë “luftë guerrile” në rrjetet sociale dhe forume të tjera online. Njerëz që i bëjnë jehonë politikave e nismave të PS, investimeve qeveritare apo temave të ndryshme që sillen në hapësirën publike.
Veç advokimit ndërmarrin gjithashtu edhe sulme ndaj kundërshtarëve politikë. Partia Socialiste e ka të konsoliduar këtë strukturë e praktikë prej vitit 2013, jo më kot ka caktuar edhe një Sekretar Dixhital në parti. Të njëjtin model po përpiqet të kopjojë edhe opozita. Ditët e fundit Sali Berisha iu ka lënë porosi strukturave te PD të rrisin prezencën online ndërsa vetë hapi llogarinë në rrjetin social Tik Tok. Kjo nuk është e rastësishme. Interneti dhe social media janë agora moderne, hapësira ku formësohet një masë e madhe e opinionit publik, ku përhapen idetë dhe shtohet influenca. ©argjiroja.net









