Shkarkimi një pas një i disa drejtorëve të LSI-së dhe goditja e njerëzve të saj nga ministrat teknikë të qeverisë, ka ashpërsuar qëndrimet e kësaj partie. Sot LSI ka bërë deklarata të ashpra kundër drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako.
Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama, tha sot se Haki Çako është peng i kartelit të drogës.
“E ftoj Ministrin e Brendshëm që të vërë në shinat e zbatimit të ligjit veprimtarinë e Policinë e Shtetit sepse nuk mundet që policia e shtetit të merret peng siç u mor për të mbjellë kanabis. E ftoj zv.kryeministrin në cilësinë e njësisë së Task-Forcës të analizojë rolin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që nuk mund të fshihet nën petkun politik. Karteli i drogës vazhdon të ketë në dorë Drejtorin e Policisë së Shtetit dhe po vazhdon ta përdorë”, u shpreh Rama.
Deklaratat e ashpra të LSI-së kundër Haki Haki Çakos vijnë pasi policia nisi procedim penal për Elez Gjozën, kreu e njësisë administrative Nr.2 në Tiranë. Gjoza akuzohet se ka regjistruar në banesën e tij 70 persona, për qëllime elektorale. Nga hetimet e kryera, dyshohet se transferimi i gjendjeve civile të këtyre shtetasve dhe rregjistrimi i tyre pranë Njësisë Bashkiake nr 2, është kryer me qëllimin ndikimin në zgjedhjet e përgjithshme që do të zhvillohen në 25 qershor.
Vetë Gjoza në një reagim të tij përkrah Luan Ramës, akuzoi Saimir Tahirin si ideatorin e këtij sulmi ndaj tij. Gjoza tha se nuk trembet nga ky sulm dhe se sipas tij prapa hekurave e ka vendin Saimir Tahiri si ish-ministër i hashashit.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe zv.kryeministrja Linda Mandija, e cila i ka bërë thirrje kryeprokurorit të vazhdojë hetimet.
Kjo nuk është hera e parë që LSI sulmon policinë. Kujtojmë në fillim të këtij viti deklaratat e sinkronizuara të ministrit Lefter Koka në Durrës dhe Vangjel Tavos në Gjirokastër. Koka dhe Tavo thanë se segmente të Policisë së Shtetit janë të përfshirë në trafikun e kanabisit dhe në luftën politike kundër LSI-së.
Shkarkimi i Saimir Tahirit nga posti i Ministrit të Brendshëm u pa si një lëvizje e sforcuar e Ramës pas presionit nga Ilir Meta, ndonëse ky i fundit nuk e ka pranuar asnjëherë se ka ndikuar tek Rama për shkarkimin e Tahirit. Ditët e fundit LSI ka ashpërsuar tonet kundër Edi Ramës dhe Partisë Socialiste.
Akuza të forta ndaj Ramës hodhi mbrëmë edhe Ilir Meta në “Opinion”. Pritet që në ditët e ardhshme teksa po i afrohemi zgjedhjeve, retorika të ashpërsohet edhe më tej.