Prej disa ditësh rreth 10 mijë emigrantë shqiptarë presin në radhë për të kaluar kufirin me Greqinë përmes pikës së Kakavijës. Situata e pazakontë në këto 30 vite është krijuar për shkak se të gjithë nxitojnë të kalojnë kufirin përpara datës 16 gusht. Pas kësaj date Greqia do të aplikojë rregulla të reja për shtetasit që hyjnë në territorin e vet. Këtu është fjala vetëm për rezidentët dhe ata që kanë nënshtetësi greke. Konkretisht pas datës 16 të gjithë ata që vijnë nga Shqipëria do të bëjnë me detyrim 7 ditë karantinë në Greqi, si dhe duhet të kenë me vete testin antiCovid të kryer në Shqipëri brenda 72 orëve të fundit në një laborator të çertifikuar. Përveç kësaj pala greke do të aplikojë edhe një kufizim tjetër.
Prej Kakavijës do të lejohet të kalojnë vetëm 750 qytetarë në ditë, ndërsa prej Kapshticës do të lejohen të kalojnë vetëm 300 qytetarë në ditë. Pikërisht për këto masa të rrepta, emigrantët që kishin mbrërritur në Shqipëri, nxituan që të largoheshin drejt shtetit fqinj përpara datës 16 gusht. Kakavija dhe Kapshtica janë të vetmet pika të kufirit tokësor të hapura me Greqinë për shkak të pandemisë. Qafë Bota, Tri Urat dhe Sopiku janë të mbyllura prej karantinës së muajit mars.
Autoritetet shqiptare kanë biseduar me palën greke për të shtuar kapacitetet në doganë, në mënyrë që të kapërcehet kjo situatë, e cila tashmë po merr edhe përmasat e një krize humanitare. Radha e automjeteve është rreth 10 Km. Emigrantët, përfshi fëmijë e të moshuar, kanë nevojë për ushqime, medikamente dhe shërbime të tjera. Moti i nxehtë është një tjetër faktor që vështirëson qëndrimin në radhë për ditë me radhë.
©argjiroja.net