Princi William zhvilloi një vizitë në Cornwall të Anglisë jugperëndimore, ku njihet me titullin Duka i Cornwall-it. Vizita u zhvillua më 5 mars dhe përkoi me Ditën e Shën Piranit, një festë lokale që kremton kulturën dhe trashëgiminë e popullit kornish.
William e trashëgoi titullin Duka i Cornwall-it në vitin 2022, pasi babai i tij, mbreti Charles, u bë monark pas ndarjes nga jeta të mbretëreshës Elizabeth II. Si drejtues i Dukatit të Cornwall-it, ai përfiton të ardhura që përdoren për të mbuluar shpenzimet zyrtare, bamirëse dhe private të familjes së tij.
Gjatë vizitës së tij, ndalesa e parë ishte në një fermë organike familjare ku prodhohen pastitë tradicionale të Cornwall-it. Në këtë fermë, e njohur për produktet e saj lokale, princi u njoh nga afër me procesin e prodhimit dhe takoi punonjësit që merren me kultivimin e përbërësve dhe përgatitjen e këtyre specialiteteve.
Vizita kishte edhe një mesazh solidariteti për komunitetin lokal, i cili u përball me dëme të konsiderueshme pas stuhive të forta në fillim të vitit. Mijëra banesa mbetën pa energji elektrike dhe ujë, ndërsa shumë biznese lokale u detyruan të përballonin kushte të vështira për disa ditë.
Më vonë gjatë ditës, princi William vizitoi edhe një stacion zjarrfikësish në Helston, ku falenderoi ekipet e emergjencës për punën e tyre gjatë stuhisë së fuqishme që goditi rajonin. Ai mori pjesë gjithashtu në një diskutim me autoritetet lokale mbi reagimin ndaj emergjencave dhe mbështetjen ndaj banorëve të prekur.
Vizita ishte pjesë e angazhimit të tij për të qenë më pranë komuniteteve që janë pjesë e Dukatit të Cornwall-it.









