Një ditë pas aksidentimit në punë të shtetasit Ilir Muçollari, i cili po punonte në restaurimin e Xhamisë së Pazarit, policia e Gjirokastrës ka arrestuar inxhinierin që mbikëqyrte punimet.
Ai është shtetasi Sami Babameto, 63 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë inxhinier arkitekt pranë firmës private përgjegjëse për rikonstruktimin e objektit nga i cili gjatë punimeve është rrëzuar nga skela, nga një lartësi 2.7 metra, shtetasi Ilir Mucollari, 57 vjeç, banues në Gjirokastër. Ai ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal “Omer Nishani” në gjendje të rëndë për jetën. Ndërkohë policia shpalli në kërkim shtetasen A.B, 57 vjeçe, me detyrë drejtuese punimesh pranë kësaj firme.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” parashikuar nga neni 289 i Kodit Penal.