I braktisur dhe i dëshpëruar njëkohësisht, Vangjel Tavo po punon për alibinë e humbjes së 25 prillit. Sot ai ka dalë me një deklaratë për mediat, ku komunikoi se ka bërë një denoncim për një person që sipas tij ka shkuar në disa lagje duke përdorur emrin e Tavos.
“Një individ i kurdisur nga “Rilindja” ka shkuar në disa lagje dhe shtëpia banorësh duke përdorur emrin tim, duke u shtirur e gënjyer sikur është i dërguari im, duke pyetur banorët se kush janë familjet në nevojë që t’u japë para dhe t’u blejë votën. Personi nuk është pritur nga banorët. Ai është i ardhur dhe nuk është nga qarku ynë. Por për Policinë e Shtetit është i njohur dhe mund të jetë edhe pjesë e forcave të Policisë”, thotë Tavo. I pyetur nga gazetarët se kush është ky person, Tavo tha se nuk e dinte si emër, por prokurorit thjesht ia ka përshkruar ashtu sic ia kanë treguar.
Që në Shqipëri ekziston fenomeni i shitblerjes së votës, ky nuk është më lajm. Por kulmi është natyrisht kur për këtë fenomen flet LSI-ja, parti që është simbol i blerjes së votave, klientelizmit dhe korrupsionit shtetëror. Vangjel Tavo e di shumë mirë këtë gjë, pavarësisht së kësaj radhe ia do puna që të flasë ndryshe, të prezantohet si politikan “fringo i ri”, që s’ka qenë kurrë në pushtet, që s’ka abuzuar kurrë me pushtetin. Kjo nuk është e vërtetë aspak. Vangjel Tavo është po aq përgjegjës sa e gjithë klasa politike në Shqipëri dhe kurrsesi nuk mund të ofrojë më asgjë të re, kurrsesi nuk mund të ofrojë dot asgjë ndryshe nga cfarë ka bërë deri më tani.
©argjiroja.net