Belinda Balluku do të vazhdojë të jetë drejtuese politike e qarkut të Fierit. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, pasi PS shprehu publikisht qëndrimin kundër arrestimit të deputetes socialiste.
Në fjalën e tij, Rama tha se ndaj Ballukut nuk është ngritur akuzë për korrupsion apo vjedhje, por vetëm për dyshimin e shkeljes së barazisë në tendera publikë.
Sipas kreut të qeverisë, akuza është ngritur bazuar në disa mesazhe të gjetura vite më vonë në telefonin e një ish-zyrtari, duke iu referuar vartësit të Ballukut, Evis Berberi.
“Ndaj saj është ngritur një akuzë, jo për vjedhje, jo për korrupsion dhe të lidhur me ndonjë skenë krimi apo flagrancë në krye të një vepre të rëndë penale. Por vetëm për dyshimin e arsyeshëm se në cilësinë e ish-ministres ka kryer veprën penale të pabarazisë në tendera publikë, 6 vite më parë, bazuar në disa mesazhe të gjetura vite më vonë në celularin e një ish-drejtori”, tha Rama.
Ai kritikoi gjithashtu vendimin për pezullimin e Ballukut nga detyra, duke thënë se ishte një masë absurde.
“Masë absurde sepse pezulloi funksionin dhe jo thjesht personin. Nuk ka ndodhur kurrë dhe askund tjetër në botë një budallallëk i kësaj natyre”, u shpreh kryeministri.
Rama shtoi se çështja po diskutohet në Kuvend në bazë të të drejtës kushtetuese për të autorizuar ose jo arrestimin e një deputeti.









