Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, do të përballen në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me mosdekretimin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm.
Kërkesa është depozituar në Gjykatë nga Kryeministri Rama, ndërsa çështja do të shqyrtohet në seancë plenare në këtë gjykatë më 25 mars, një muaj para zgjedhjeve parlamentare. “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Interpretimi kushtetues i nenit 98, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, thuhet në kërkesën e bërë nga kryeministri Rama në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese, pas plotësimit me 7 anëtarë, ka nisur funksionin e saj duke marrë në shqyrtim disa çështje që kanë lidhje me pronat apo dhe funksionimin e gjykatave. Kjo është çështja e parë me karakter politik pas rikthimit në punë të kësaj gjykate.
Presidenti Meta asokohe refuzoi të dekretojë Cakajn, i cili mbajti postin e ushtruesit të detyrës, ndërsa ministër i Jashtëm me dekret ishte vetë Kryeministri Rama. Kjo është përballja e parë e dy liderëve në gjykatë një muaj para zgjedhjeve, të cilat do të mbahen më 25 prill 2021.
Gent Cakaj në këndvështrimin e Ilir Metës nuk ishte i përshtatshëm për të qenë në krye të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme. Presidenti i Republikës ka refuzuar propozimin e Kryeministrit Edi Rama me argumentin se Shqipëria ndodhet përballë sfidave madhore dhe nuk ka kohë për të eksperimentuar e provuar kapacitetet dhe aftësitë e ministrit të propozuar.
“Në krye të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme duhet një individ i sprovuar dhe efikas me njohje të plotë të përgjegjësive shtetërore, kombëtare dhe administrative, i vetëdijshëm për impaktin e madh dhe vendimtar që do të ketë në politikën e jashtme, veçanërisht në muajt e ardhshëm, por dhe gjatë kryesimit të OSBE-së nga Shqipëria, që është përgjegjësi historike për vendin tonë. Profili i z. Gent Cakaj i propozuar në postin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme ka mungesë të qartë të përvojës politike, diplomatike, administrative shtetërore në secilin element dhe në tërësi”.
Të gjitha konstatimet në të cilat ka arritur pas verifikimit të hollësishëm që thotë se ka kryer para se të marrë këtë vendim, Presidenti Meta ia ka shprehur Kryeministrit Edi Rama përmes një letre. Gent Cakaj, sipas kreut të shtetit, gjatë ushtrimit të detyrës si zëvendësministër për Europën dhe Punët e Jashtme ka dëshmuar jo vetëm mungesë përvoje, por për çështje thelbësore të politikës rajonale ka mbajtur qëndrime të papranueshme, madje të rrezikshme.
“Qëndrimet e tij publike në kontekstin e debatit për të ashtuquajturin korrigjim të kufijve të Kosovës e Serbisë, por edhe të Ballkanit Perëndimor, janë në kundërshtim të plotë me programin e qeverisë aktuale për politikën e jashtme dhe shtjellimin e saj nga Ministria e Punëve të Jashtme. Këto deklarata të rrezikshme të z. Gent Cakaj, me pasoja të paparashikueshme në rajon dhe me gjerë, në planin dypalësh dhe më tej, janë në kundërshtim të hapur me politikën rajonale të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe të vetë Bashkimit Europian”.