Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se një grup menaxherësh të huaj do të asistojnë me drejtuesit e spitaleve në vend. Gjatë një mbledhje me shefat e shërbimeve në QSUT-së, Rama tha se në vend do garantohet autonomia spitalore, ndërkohë që pagat e mjekëve do të jepen në bazë të performancës profesionale. Rama shtoi se historia e shefave të departamenteve dhe drejtuesve të spitaleve që i shërbejnë sistemit publik por kanë dhe një pronë në shërbim privat do të marrë fund.
“Ndryshimet e propozuara nga grupi i punës në ministri janë hapa të duhur në drejtimin e duhur. Historia e shefave të departamenteve dhe drejtuesve të spitaleve që i shërbejnë edhe sistemit publik dhe kanë në pronë apo janë në punë edhe në shërbimin privat, është një histori që e dimë mirë nga vjen. Nga historia e kalimit nga një sistem shëndetësor i centralizuar i të shkuarës në një sistem shëndetësor ku hyri në mes kapitalizmi dhe nga mungesa e çdo baze për të ndërtuar një sistem autonomie spitalore që i garanton mjekëve profesionistë që të shpërblehen përtej tavaneve të pagave, por në bazë të performancës. Grup menaxherësh të huaj për të asistuar nga afër drejtuesit e spitaleve të kësaj qendre që të garantojmë hapjen e kapitullit të shumë pritur të autonomisë spitalore, që kjo qendër do duhet ta ketë dhe që kësaj qendre do duhet t’i japë fleksibilitetin për ti shpërblyer profesionistët sipas meritës,” tha Rama.