Kryeministri Edi Rama deklaroi se kjo është java vendimtare dhe më e vështira e përhapjes së koronavirusit në Shqipëri. Në një intervistë për News 24, Rama iu drejtua sërish shqiptarëve, duke iu kërkuar të zbatojnë masat, në mënyrë që të mos kemi shifra stratosferike të të infektuarve dhe të viktimave. Ai shtoi më tej se 80% të të infektuarve as do ta ndjejnë fare, por 20% i mbetur do të luftojnë me vdekjen.
Pjesë nga intervista:
Pamë një gjuhë të ashpër në komentet, pse?
Ka një seleksionim, që lidhet me ata që ankohen përgjithësisht dhe aty tek-tuk dalin dhe këto komente krejtësisht fatkeqe, të pajustifikueshme dhe të turpshme në një situatë si kjo, që ushqehen nga ajo vrima e ndyrë dixhitale dhe përhapen sikur të ishte një kohë normale, duke ndotur atmosferën.
Çfarë iu shqetëson më shumë në këto orë të fundit?
Nuk ka asnjë befasi, surprizë, sekret, që situate do të shkojë duke u rënduar, pasi e dimë shumë mirë, bazuar nga vendet e tjera. E kemi prezantuar disa herë atë kurbën e famshme, që është dicka që na bashkon me të gjitha eksperiencat e realitetet e tjera, që tregon se ka ende njerëz që s’e kanë kuptuar. Virusi do të përhapet, do të prekë shumicën prej nesh, por masat shtrënguese ngadalësojnë përhapjen e tij dhe i japin mundësi sistemit shëndetësorë të kurojnë ata që preken më rëndë. Ne e dimë që 80% as do ta ndjejnë fare, por 20% i 20% të mbetur do të luftojnë me vdekjen. Që këta të marrin shërbimin e duhur, duhet që ne të tjerët të rrimë sa më shumë mbyllur në shtëpi dhe të zbatojmë rregullat e thjeshta, sepse nuk kemi asnjë armë tjetër. Java që kemi hyrë është e parashikuar, nuk kemi hedhur fall, bazuar mbi modelin statistikor të përbotshëm. Është javë vendimtare për të mos lejuar që shifrat të shkojnë në stratosferë.
Numri i prekurve me Covid-19 në vendin tonë sot ka shkuar në 104, ndërsa numri i viktimave ka shkuar në 4. Po kështu, 9 prej të infektuarëve janë mjekë dhe infermierë, një nga Spitali i Durrësit dhe të tjerët nga spitali “Shefqet Ndroqi”. Ndërkohë harta e të prekurve në vend sa vjen dhe zgjerohet. Sot janë shënuar të infektuar edhe në Vlorë e Shkodër. Qytetarët sot e kanë ndaluar që të dalin pas orësh 13:00 nga shtëpia, ndërsa lëvizja ka nisur që në 5 të mëngjesit pasi ka hyrë në fuqi “ligji i luftës.” Kryeministri Edi Rama njoftoi se për të ruajtur rendin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19, do të përdoret edhe forca bashkë me gazin lotjsjellës. Ndërkohë që në rrugë ka dalë ushtria dhe Policia.









