Kryeministri Edi Rama është shprehur se masat për minimizimin e përhapjes së koronavirusit do të vijojnë të ‘shtrëngohen’. Në një deklaratë të përbashkët për mediat me ministren Ogerta Manastirliu, Rama tha se në ditët në vijim do të merren masa edhe për ndalimin e udhëtimit me urban në Tiranë e Durrës. Kryeministri shtoi gjithashtu se masat për Covid-19 nuk mund të meren para se të shpërthejë virusi por pasi, sepse mbyllja e të gjitha bizneseve pa pasur një arsye ndikon në ekonomi dhe nuk ka asnjë vlerë.
“Në ditë në vijim do të marrim masa për ndalimin e udhëtimit me urban në Tiranë e Durrës. Fatmirësisht ne nuk jemi vendi I parë që goditet nga ky virus, kemi modelet e vendeve të tjera. Më vjen mirë që të gjithë bizneset kanë filluar të mbyllen vullnetarisht nga drejtuesit e tyre, pasi e kanë ndjerë të nevojshme. Ne do të kemi edhe sanksione për të gjithë ata që nuk respektojnë distancën e sigurisë në vendet ku po punohet. U takon kompanive që të vendosin distancat dhe të bëjnë shkurtime, të merren maska, doreza e detergjentët e nevojshëm. Këtë gjë e këshillon praktika më e mirë ndërkombëtare. Gjithçka ka një zot pune dhe këtu bëhet fjalë për të mbrojtur familjen. Ky është një kontekst disipline në raport me rregullat,”- tha Rama ndër të tjera.









