Baza e PD-së i është ankuar kreut Lulzim Basha se kritikët e tij kanë sabotuar indirekt fushatën elektorale të 25 qershorit të vitit të kaluar, gjë që sipas saj, thelloi humbjen në zonat ku ata ishin më parë të zgjedhur të PD-së.
Aktivistët e PD-së kanë përmendur emra konkretë përmes raporteve konfidenciale të hartuara pas mbylljes së procesit të analizës në mbarë vendin. Në Partinë Demokratike qëndrojnë të depozituara raportet e 53 degëve, që përmbledhin një analizë të hollësishme të shkaqeve që çuan në humbjen e thellë të zgjedhje të 25 qershorit. Krahas raportit të analizës, ka edhe një raport konfidencial për çdo degë të hartuar nga të deleguarit e kryetarit Lulzim Basha, në çdo qark.
Sipas ‘Gazetës Shqiptare’, një raport të tillë konfidencial me emrat që punuan kundër PD-së, ka edhe për qarkun Gjirokastër, aty ku kjo parti regjistroi një tjetër rezultat negativ në zgjedhjet e fundit. Nga ana tjetër në raporte flitet edhe për blerje votash, presion ndaj zgjedhësve etj. Por emrat janë në tryezën e Bashës dhe zor se mund të bëhen publike, ndonëse njerëzit e strukturave të PD-së e dinë se cilët janë ‘puçistët’ në radhët e tyre.