5 gola në 3 ndeshjet e fundit, pa frikë Ernest Muçi mund të konsiderohet legjionari i momentit, me sulmuesin kuqezi që vijon të dhurojë spektakël në Turqi. 9 pikë të plota i ka dhuruar Muçi ekipit të tij Trabzonspor, duke mbajtur këta të fundit në garë për titullin në Turqi, fundja janë vetëm 2 pikë larg Galatasary kryesues. Muçi mori prej dore Trabzonspor në transfertën përballë Goztepe, me ish “bomberin” e Tiranës që realizoi një ‘dopietë” fantastike.
Në minutën e 46-të, Muçi u shkëput shpejt, fillimisht provoi me një parabël, por nuk arriti të kaloi portierin, topi iu kthye sërish në këmbë, këtë herë nuk fali duke dërguar topin në rrjetë. Nëse ky ishte një gol normal, i dyti ishte spektakël. Gjatë zhvillimeve të një goditje dënimi, Muçi goditi fluturimthi, me topin që pasi flirtoi mes këmbëve të rivalëve u ndal në rrjetë, një gol për katalog që dërgoi në delir tifozët e Trabzonspor. Goztepe ngushtoi më pas shifrat në 1-2, por pa mundur t’i prishnin natën magjike sulmuesit shqiptar.
Pas ndeshjes, Muçi u shfaq i kënaqur për pikët e plota dhe për paraqitjen e tij e cila po vjen gjithnjë e në rritje: “Jam shumë krenar për skuadrën time, ishte një tjetër ndeshje jashtë fushe dhe këto tre pikë janë shumë të rëndësishme për ne. Kjo fitore na bën edhe më të uritur për ndeshjet e radhës. Gjërat po shkojnë mirë edhe për mua, kjo më shtyn të punoj më shumë. Unë ëndërrojë për gjëra më të mëdha”, u shpreh Muçi.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb








