Deputeti i Partisë Socialiste për qarkun Gjirokastër, Flamur Golemi, në një intervistë për gazetën “Sot”, sqaron opinion publik rreth mënyrës se si do të reformohet PS dhe administrata shtetërore. Madje edhe pse nuk preferon të ndalet tek koha duke dhënë afate apo data, Golemi paralajmëron se qeveria “Rama 2” është e vendosur për ta çuar administratën publike në ato nivele që duhet dhe t’i ofrojmë shqiptarëve shërbimet që meritojnë.
Dhe sipas tij, kjo reformë është një mundësi nga e cila do të çlirohen njëherë e mirë zyrat e shtetit nga parazitarizmi dhe burokracitë e shumta. E teksa ndalet për një moment tek grupi i punës i cili analizoi gjendjen aktuale politike dhe organizative të partisë në çdo qendër votimi nën dritën e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit, Golemi deklaron se në Partinë Socialiste do të nisë një proces zgjedhjesh dhe reformimi.
Sipas tij, raporti i dalë nga grupi i punës ku ai bënte pjesë, ishte i domosdoshëm për të kuptuar gjendjen elektorale të partisë në çdo organizatë socialiste, e parë me një sy më analitik, përtej rezultatit spektakolar që PS korri të dielën e 25 qershorit. Por Golemi ka edhe një këshillë për Partinë Demokratike, teksa thotë se PD do të shkojë drejt degradimit nëse vazhdon ta shikojë pushtetin si qëllim në vetvete dhe ta kërkojë arsyen e braktisjes te shqiptarët, por jo te vetja.
-Zoti Golemi, ju më 9 shtator do të betoheni si deputet për të parën herë. Cilat do jenë synimet tuaja në këtë legjislaturë?
Besoj se si çdo i zgjedhur tjetër, as unë nuk bëj përjashtim në këtë rast. Synimi është të përfaqësoj denjësisht zgjedhësit e mi të qarkut Gjirokastër; të adresoj siç duhet problematikat dhe çështjet që prekin ata dhe të ushtroj gjithë ndikimin tim institucional e njerëzor, për të bërë më të mirën për banorët. Sigurisht nuk dua të anashkaloj këtu as angazhimet e mia politike brenda Partisë Socialiste.
-Në Asamblenë e PS, më 27 gusht, kryeministri Edi Rama prezantoi qeverinë e re. Si e shihni këtë qeveri dhe sa e lehtë do të jetë rrudhja e një numri të madh agjencish, inspektoratesh dhe ministrish?
Mendoj se kjo periudhë tranzite që pas mbarimit të zgjedhjeve e deri më tani në shtator kur duhet të formohet qeveria e re, ndonëse është e kritikueshme si praktikë, ka shërbyer në një farë mënyre në përzgjedhjen e emrave të duhur për kabinetin e ri qeveritar. Sigurisht që dikush mund të preferonte të shihte emra të tjerë nëpër Ministri, por unë vlerësoj se kontributi në qeverisje nuk jepet domosdoshmërisht duke qenë vetëm pjesë e kabinetit qeveritar. Ka plot forma të tjera e mekanizma që e ndihmojnë qeverinë. Një i tillë është natyrisht edhe grupi parlamentar, të cilit ne synojmë t’i japim një rol më të madh në raportin me qeverinë. Ne si mazhorancë dhe në mënyrë të veçantë kabineti qeveritar, kemi një përgjegjësi historike përballë qytetarëve që na kanë votëbesuar. Megjithatë, siç e tha edhe Kryeministri, asnjë ministër nuk është i pazëvendësueshëm. Të gjithë do të vlerësohen sipas performancës. Sa i përket reformës në administratë, besoj se do duhet një fazë kalimtare për të integruar funksionet dhe institucionet që shkrihen. Por nuk është kjo më me rëndësi sesa vendosmëria jonë për t’i shkuar deri në fund kësaj reforme, ashtu siç i shkuam deri në fund reformës në drejtësi, reformës në arsim apo reformës territoriale.
-Me aq informacion sa ju keni, sa pritet të zgjasë ky proces dhe do ketë dhe persona që do humbasin punën?
Nuk dua të jap afate apo data. Jam në dijeni se po punohet në këtë drejtim dhe pritet të jetë një proces që kërkon të marrë kohën e vet. Qeveria dhe kjo mazhorancë është e vendosur për ta çuar administratën publike në ato nivele që duhet dhe t’i ofrojmë shqiptarëve shërbimet që meritojnë. Unë e shikoj këtë reformë si një mundësi për të çliruar njëherë e mirë zyrat e shtetit nga parazitarizmi dhe burokracitë e shumta sesa si një përllogaritje të thjeshtë numerike për ata njerëz që mund humbasin punën. Ne nuk mund të vazhdojmë të torturojmë shqiptarët për shërbime në zyrat e administratës, për hir të një numri të caktuar njerëzish që punojnë në shtet.
-Ju jeni mjek në profesion dhe kryeministri ka deklaruar se shërbimi i shëndetësisë do reformohet. Ku do konsistojë kjo reformë në këtë sektor?
E kam thënë edhe herë tjetër, qe reforma në shëndetësi është një proces që vijon. Bazat e saj janë hedhur gjatë mandatit të parë, por natyrisht nuk mund të themi se ne kemi mbërritur aty ku duam. Ka ende plot gjëra për t’u rregulluar brenda këtij sistemi. Besoj se në vazhdim qeveria dhe specifikisht ministrja e Shëndetësisë do të bëjnë publike më shumë rreth kësaj reforme.
-Ju ishit pjesë e grupit të punës që analizoi situatën në PS. Në çfarë konkluzionesh arritët nga monitorimi i çdo dege?
Ishte një raport i domosdoshëm për të kuptuar gjendjen elektorale të partisë në çdo organizatë socialiste, e parë me një sy më analitik, përtej rezultatit spektakolar që ne arritëm në nivel makro. Ky dokument do të shërbejë për të reformuar më tej strukturat e PS-së në bazë. Për të qenë më konkret, po them se në ato organizata socialiste (OS) ku nuk u arrit objektivi elektoral, do të ketë proces zgjedhjesh, rifreskim me emra të rinj drejtuesish etj.
-Në raport, ju deklaroni se janë 16 degë me rezultat negativ krahasuar me 2013. Çfarë do të ndodhë me këto degë? A do ketë ristrukturim të tyre?
Patjetër që do të ketë. Do të nisë një proces zgjedhjesh dhe reformimi. PS ka plot të rinj, profesionistë dhe njerëz të spikatur që mund të jenë pjesë e strukturave drejtuese dhe e vendimmarrjes në këtë parti. Prandaj shfrytëzoj edhe këtë intervistë për të bërë thirrje ndaj të gjithë atyre që duan të jenë pjesë e PS-së, se dyert janë të hapura për këdo. Janë të mirëpritur të gjithë.
-PS këtë mandat do të qeverisë e vetme. Si e cilësoni bashkëpunimin 4 vjeçar me LSI dhe si i shihni akuzat e përditshme të lëshuara nga eksponentë të saj në drejtim të kryeministrit?
Bashkëpunim 4-vjeçar me LSI-në është një çështje e mbyllur tashmë, por sigurisht që ka pasur plot arritje të atij koalicioni. Kujtojmë se shumë reforma kanë kaluar dhe mbajnë ‘vulën’ e asaj aleance. Natyrisht që ka pasur edhe divergjenca, çka është normale në demokraci, por siç e kam thënë edhe herë tjetër, kjo marrëdhënie kishte mbërritur në një fazë që nuk mund të vazhdonte më tej. Prandaj, ne kërkuam një mandat për të qeverisur të vetëm dhe shqiptarët na votëbesuan. Sa i përket akuzave nga eksponentët e LSI-së, s’kanë nevojë për shumë koment. Ata po mundohen të futen në rolin e ‘opozitës laramane’ sepse këtë detyrë i caktuan shqiptarët më 25 qershor.
-Gjatë fushatës, ish-kreu i LSI, Ilir Meta, lëshoi akuza të shumta ndaj PS. Mendoni se do jetë i lehtë bashkëpunimi President-Qeveri në këto 4 vite?
Fushata ka mbaruar, Presidenti e pati deklaruar në intervistën e parë si kreu i shtetit, se kishte lënë pas çdo gjë që ishte thënë para orës 18:00 të ditës kur kreu betimin. Kështu që nuk shikoj arsye të mos ketë bashkëpunim. Kushtetuta i ka përcaktuar qartë pozicionet e palëve, të Presidentit dhe Qeverisë.
-Edhe pse PD kishte ministrat e saj në qeveri, sërish në fund deklaroi se zgjedhjet u vodhën. Si e shihni raportin e ministrave teknikë për zgjedhjet e 25 qershorit?
Jam shprehur për këtë raport që në momentin e publikimit. Vazhdoj të ndaj të njëjtin mendim. Është një dokument tërësisht i njëanshëm, që i shërben interesit dhe luftës politike të PD-së. Pretendimet për vjedhje zgjedhjesh nuk i besojnë as militantët më të zjarrtë të PD-së, le pastaj njerëzit mbarë. PD do të shkojë drejt degradimit nëse vazhdon ta shikojë pushtetin si qëllim në vetvete dhe ta kërkojë arsyen e braktisjes te shqiptarët, por jo te vetja.
-A do ketë bashkëpunim PS-PD për reformat e pritshme në këtë legjislaturë, siç është reforma zgjedhore?
Për sa më takon, di të them se PS mbetet e hapur për të bashkëpunuar me opozitën politike për çdo reformë që i shërben shqiptarëve dhe interesave të vendit, sidomos për ato reforma që përshpejtojnë rrugën tonë drejt BE-së. Natyrisht me PD-në ka një marrëveshje, për të cilën PS dhe lidershipi i saj kanë shprehur vullnetin që ajo të zbatohet. Megjithatë mbetet për t’u parë gatishmëria e PD-së.