“Opta Power Rank ings” ka publikuar renditjen globale të 411 ligave të futbollit në botë dhe kjo pasqyrë statistike tregon qartë se ku qëndron futbolli shqiptar në të gjitha nivelet e tij. Kategoria Superiore renditet në vendin e 66-të me 68 pikë totale, duke qenë liga më e fortë në vend dhe e vetmja që pozicionohet në pjesën e mesme të renditjes botërore.
Kjo tregon një stabilitet relativ të elitës së futbollit shqiptar edhe pse pa ndonjë rritje domethënëse krahasuar me periudhat e mëparshme. Mesatarja e pesë skuadrave më të mira arrin në 70.2 pikë ndërsa dhjetë ekipet kryesore qëndrojnë në nivelin 68 çka dëshmon se kampionati është i balancuar por edhe se mungon një elitë që ta tërheqë ligën drejt niveleve më të larta europiane. Një realitet krejt tjetër shfaqet në ligat më të ulëta.
Kategoria e Parë renditet në vendin e 227 me 55.7 pikë, duke pësuar edhe një rënie prej një pozicioni. Kjo diferencë prej më shumë se 12 pikësh nga Superiore tregon një hendek të madh cilësor dhe strukturor mes elitës dhe nivelit të dytë të futbollit shqiptar. Edhe më shqetësuese janë shifrat e Kategorisë së Dytë e cila renditet në vendin e 363 me vetëm 41 pikë dhe një rënie prej dy pozicionesh, duke u pozicionuar në fundin e renditjes globale. Situata pasqyron qartë problemet e thella të bazës së futbollit shqiptar mungesën e investimeve infrastrukturën e dobët dhe nivelin e ulët të konkurrencës.
Në krahasim me rajonin Shqipëria arrin të mbajë një pozicion të respektueshëm vetëm në elitë, ndërsa në ligat e para dhe të dyta mbetet ndjeshëm prapa vendeve si Kroacia, Greqia, Rumania apo edhe Serbia, të cilat kanë jo vetëm kampionate elitare më të forta por edhe nivele të dyta shumë më konkurruese. Kjo do të thotë se problemi kryesor i futbollit shqiptar nuk qëndron vetëm te skuadrat e para, por te mungesa e një piramide funksionale zhvillimi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









