Sapo hyn në qytetin e gurtë, sytë të ndeshin një pamje piktoreske, ndërthurur me shtëpitë karakteristike dhe rrugicat e shumta me kalldrëm, që duket se nuk mbarojnë kurrë.
Është një qytet i ftohtë dimër e verë për nga arkitektura, por jo për nga njerëzit, të cilët edhe pse nuk të njohin, të mirëpresin e të përshëndesin me përzemërsi që prej ballkoneve të shtëpive të tyre.
Rrallë të sheh syri gjirokastritë që të lëvizin me makina nëpër qytet, rruga përshkohet nga të gjithë në këmbë, nga më të vegjlit te më të moshuarit, një itinerar i përditshëm që duket se i ka mbajtur në formë të mirë fizike. Destinacioni kryesor për çdo turist që vjen për herë të parë në Gjirokastër është Kalaja, por kush ka kohë ta eksplorojë, zbulon se nuk mbarojnë shtëpitë-muze e shumë objekte të tjera, të cilat ruajnë brenda tyre jo vetëm bukuritë arkitekturore, por edhe histori familjare që, ndërsa i dëgjon të rrëfehen nga trashëgimtarët, të duket se janë jetuar në një botë tjetër.
TURISTËT
Gjirokastra është një nga destinacionet turistike që gjithkush duhet ta vizitojë të paktën një herë në jetë. Ky qytet i vogël i Jugut të Shqipërisë, ka tërhequr vitet e fundit qindra turistë, pasi ofron një larmishmëri vendesh tërheqëse për të vizituar, aq sa në një ditë të vetme nuk arrin t’i shohësh të gjitha.
Fundjavën e kaluar, bashkë me një grup kolegësh gazetarë, patëm rastin të vizitonim këtë qytet, i cili të lë jo pak mbresa. Para se të nisesha për në Gjirokastër, kontrollova në internet rreth vendeve për t’u vizituar, por në të gjitha faqet online ajo që promovohet janë shtëpitë- muze të dy figurave që kanë lindur në këtë qytet, diktatorit Enver Hoxha dhe shkrimtarit me famë botërore, Ismail Kadare.
PAZARI I GJIROKASTRËS
Sapo zbret në Gjirokastër, ajo që të godet është Qafa e Pazarit, një ndër pikat më të frekuentuara të këtij qyteti, qoftë nga vizitorët e huaj, apo edhe nga ata vendas. E ndërsa sheh vitrinat e dyqaneve, vëmendjen ta tërheqin sendet antike të punuara me mjeshtëri nga artizanë vendas, por edhe suveniret me fotografitë e diktatorit Enver Hoxha.
Foton e tij mund ta gjesh të stampuar në çdo lloj artikulli, mbajtëse çelësash, filxhanë kafeje apo çaji sipas dëshirës. Duket se banorët e këtij qyteti nuk janë shkëputur lehtë nga ky emër, përveç origjinës, ndoshta edhe për faktin se shtëpia e tij ndodhet edhe sot në zemër të qytetit.
SHTËPITË-MUZE
Shtëpitë e dy personaliteteve, të njohur për veprimtari krejt të ndryshme nga njëri-tjetri, janë shndërruar në destinacione kyçe për turistët. Emri i Ismail Kadaresë është në të gjitha tabelat e rrugëve që drejtojnë në shtëpinë e tij të lindjes, ndërsa poshtë tij, emri i Enver Hoxhës, në rrugët me kalldrëm të Gjirokastrës, është shkruajtur me bojë dhe gëlqere. Por teksa të gjithë pjesëtarët e grupit bënë fotografi në muret e shkruar me emrin e diktatorit, një zonjë afrohet dhe pyet për qëllimet e fotove.
“Përse i bëni fotografitë, për mirë apo për ta tallur? Enveri ka qenë burrë shteti, ka pasur problemet e veta ai sistem, pa ama ka pasur shtet. Ai duhet të kthehet prapë. Enveri i duhet këtij vendi”, thotë zonja, teksa vazhdon rrugën e vetme. Emri i Hoxhës shoqëron të gjithë rrugën, deri te “Sokaku i të Marrëve”.
SHTËPIA E SKENDULATËVE
Para se të shkojmë te shtëpia e Kadaresë, grupi drejtohet te shtëpia-muze e Skendulatëve. Në këtë banesë, vite më parë, kanë jetuar deri në 30 persona. Secila nga odat është e pajisur me “sy magjik”, siç e quan pinjolli i kësaj familjeje, Nesip Skenduli, i cili bën dhe guidën në çdo ambient të kësaj banese tipike gjirokastrite.
Ai shpjegon se “sytë magjikë” janë dritare të vogla, në të cilat të zotët e shtëpisë shikojnë se kur miqtë i afrohen shtëpisë. Të tilla dritare janë prezente dhe në ambientet e brendshme, teksa zonjat e shtëpisë nuk ekspozoheshin te miqtë, por i numëronin përtej dritareve, për t’i paraqitur qerasjet e kohës. “Shtë- pia e Skendulatëve është ndërtuar në 1700-ën, ka 44 dyer, 64 dritare. Ka dy hyrje, një për njerëzit dhe një për kafshët. Kjo shtëpi ka 9 oxhakë, të cilët në atë kohë përcaktonin dhe pozitën shoqërore e ekonomike të fisit. Ka gjithsej 19 ambiente, ka dhe disa dhoma të bukura, që janë dhoma e grave ku zhvilloheshin ceremonitë, dhe dhoma e nuseve ku bëhej ceremonia e krijimit të çiftit”, rrëfen Skenduli.
SHTËPIA E ISMAIL KADARESË
Pas kësaj vizite, radhën e ka shtëpia ku ka lindur shkrimtari Kadare, e cila është rikonstruktuar totalisht. Në këtë pikë turistike nuk gjendet ndonjë person që të bëjë guidën e banesës, vetëm një zonjë, që mban çelësat në dorë, e cila pret që turistët të mbarojnë sa më parë vizitën dhe të mbyllë sërish derën. Përveç fotove kur Ismail Kadare ka qenë i vogël, në këtë banesë çdo gjë tjetër është modernizuar.
Koha për të vizituar banesën e diktatorit nuk na doli, por u mjaftuam duke parë shtëpinë-muze të Ficove, e cila ka një pamje spektakolare mbi Gjirokastrën; pa harruar Kalanë e Argjirosë, një tjetër vend që duhet vizituar patjetër në Gjirokastër. Panorama që të ofrohet nga atje lart është unike, e pamundur të përshkruhet me fjalë… Gjirokastra është një qytet i vogël, por me bukuri të mëdha, që nuk shijohen të gjitha në një ditë.
Historiku i Kalasë së Argjirosë
Kalaja, që është një nga ndërtimet më madhështore të qytetit, qëndron mbi një kreshtë me qytetin që shtrihet rreth saj. Nga muret e Kalasë shpalosen pamje të luginës së lumit Drino dhe maleve përreth. Në rrjedhën e shekujve, Kalaja ka pësuar ndryshime dhe zgjerime: fortifikimet e mëdha janë bërë nën Despotatin e Epirit në shekujt XII-XIII.
Sipas historianëve, pas pushtimit osman në fund të shek. XIV, u bënë përmirësime të gjera nga Sulltan Bajaziti II rreth vitit 1490. Nga viti 1811, Ali Pashë Tepelena shtoi shumë elemente, duke përfshirë Kullën e Sahatit në anën lindore. Ai përfundoi fortifikimin e zonës së greminës dhe ndërtoi ujësjellësin që sillte ujin në Kala nga afro 12 km largësi. Në vitet ’30, në Kala italianët ndërtuan burgun, sipas kërkesës së Mbretit Zog, i cili u mbyll në vitet 1960.
“Sokaku i të marrëve”, i harruar nga Bashkia
Në “Sokakun e të marrëve”, përgjatë gjithë rrugës ishte i vendosur vetëm një kosh mbetjesh, por ai mbante një mbishkrim politik. Emri i Kryeministrit Rama qëndronte ende në koshat e mbetjeve në qytetin e Gjirokastrës. Edhe pse aksioni politik kundër ligjit të mbetjeve nisi që në shtator të vitit 2016 dhe koshat e mbetjeve u mbushën me emrat e politikanëve të maxhorancës, në Gjirokastër ky aksion politik duket se vazhdon.
Në kryeqytet, por dhe në qytetet e tjera, koshat e mbetjeve u lyen dhe u pastruan nga pushteti vendor, por në Gjirokastër Bashkia e drejtuar nga LSI nuk ka ndërmarrë asnjë veprim të tillë./Panorama