Keith Caviness, një republikan i përjetshëm nga Iowa, ende nuk e ka vendosur se kë dëshiron si pasardhës të Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë. Por ai ka një kërkesë të qartë për këdo që do ta pasojë atë: “Gjithçka që nuk duam është dikush më pak i mirë se Trump-i. Duhet të jetë të paktën po aq i mirë, në mos më i mirë,” tha ai gjatë darkës vjetore “Lincoln Dinner” të Partisë Republikane të Iowa-s javën e kaluar. “Kjo është një kërkesë e madhe, sipas mendimit tim. Sa kohë kemi pritur që të vijë një si Donald Trump-i?”
Megjithëse Trump është vetëm gjashtë muaj në mandatin e tij të dytë presidencial dhe gëzon një mbështetje rreth 90% brenda elektoratit republikan, disa pjesë të partisë kanë nisur të diskutojnë për pasardhësin e tij. Një kandidat potencial, guvernatori i Virxhinias, Glenn Youngkin, prezantoi në mënyrë të tërthortë qëndrimin e tij në darkën për mbledhje fondesh në Iowa, ndërsa figura të tjera të njohura pritet të vizitojnë shtetin javët e ardhshme.
Disa nga mbështetësit më besnikë të lëvizjes MAGA, përfshirë edhe ish-strategun kryesor të Trump-it, Steve Bannon kanë kërkuar që presidenti 79-vjeçar të kandidojë për një mandat të tretë, gjë që bie ndesh me Kushtetutën amerikane. Vetë Trump ka hezituar të shprehë qartë një qëndrim, por ka lënë të kuptohet se mund të mbështesë një pasues.
“Shumë njerëz më kërkojnë ta bëj… por, për sa di unë, kjo nuk lejohet… nuk është diçka që po e konsideroj,” tha ai për NBC News në maj. “Unë dua të kem katër vite të shkëlqyera dhe t’ia dorëzoj dikujt tjetër, idealisht një republikan të madh… Si Marco [Rubio], apo JD Vance, që është i jashtëzakonshëm… Mund të përmend 10, 15, 20 emra tani.”
Rubio, aktualisht sekretar i shtetit në administratën Trump, kandidoi kundër tij për nominimin republikan në vitin 2016. JD Vance, nënpresidenti aktual, nuk ka kandiduar më parë për president. Asnjëri nuk ka komentuar publikisht mbi mundësinë e një gare për vitin 2028.
Sipas një sondazhi të Economist/YouGov më herët këtë vit, 43% e republikanëve dhe të pavarurve me prirje republikane e shohin Vance si kandidatin ideal, ndërsa në vend të dytë renditet djali i madh i presidentit, Donald Trump Jr., me 11%.
Pavarësisht krizës që ka përfshirë presidentin për shkak të çështjes Jeffrey Epstein, pjesëmarrësit në “Lincoln Dinner” shprehën mbështetje të fortë për Trump-in dhe për zëvendëspresidentin e tij si pasardhës të mundshëm.
“Jo gjithmonë më pëlqen Trump-i,” tha Christine Crone nga qarku Dallas. “Por e vlerësoj që ai e thotë troç dhe bën atë që premton.” Ajo shtoi: “E dua nënpresidentin. Me të vërtetë, shumë.”
Një pjesëmarrës tjetër, Larry, që mbante një kapele të kuqe me mbishkrimin “Keep America Great Again”, tha se Vance është “fantastik” dhe i pajisur me “shumë finesë”. Sipas tij, “do të jetë e vështirë për t’u sfiduar”.
Megjithatë, pak republikanë presin që Vance të ketë një garë të lehtë dhe pa kundërshtarë. Në eventin e Iowa-s, vëmendje të madhe mori Glenn Youngkin, i cili u prezantua nga Jeff Kaufmann, kryetar i Partisë Republikane të Iowa-s. Youngkin, ish-drejtor i kompanisë së investimeve Carlyle, u bë i njohur në vitin 2021 kur fitoi zgjedhjet për guvernator në një shtet që Joe Biden e kishte fituar një vit më parë me 10 pikë avantazh.
Youngkin nuk e ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për vitin 2028, por pjesëmarrja në një ngjarje të tillë në Iowa ka nxitur spekulime. Ai planifikon të vizitojë muajin e ardhshëm edhe Karolinën e Jugut, një tjetër shtet që voton herët në procesin e nominimeve.
“Ka një paradë të vazhdueshme figurash kombëtare që mund të mendojnë për presidencën, apo që thjesht duan të jenë në qendër të vëmendjes,” tha Kaufmann. “Zgjedhësit tanë janë duke vlerësuar kandidatë të mundshëm prej dekadash, dhe kemi bërë një punë të mirë.”
Ndër figurat e tjera republikane që po testojnë terrenin janë guvernatorja e Arkansas-it, Sarah Huckabee Sanders, ish-zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë; senatorët Ted Cruz dhe Eric Schmitt; ish-sekretari i shtetit Mike Pompeo; dhe kongresistja Nancy Mace.
Kaufmann tha se kushdo që synon të fitojë në Iowa, duhet të përqafojë trashëgiminë politike të Trump-it. “S’ka vend për një kandidat anti-Trump në këtë shtet,” u shpreh ai.
Edhe pse Youngkin në të kaluarën është përpjekur të distancohet nga Trump, në Iowa ai përpiqej të krijonte një lidhje të drejtpërdrejtë me presidentin, duke e krahasuar fitoren e tij në Virxhinia me rizgjedhjen e Trump në 2024.
Në të dyja rastet, sipas Youngkin, shumica e amerikanëve treguan se besojnë tek “vlerat konservatore me logjikë të shëndoshë”. “Duhet të ndjehemi krenarë që Amerika i kupton këto vlera. Ato jo vetëm fitojnë, por edhe funksionojnë,” tha ai.
Pjesëmarrësit në sallë u treguan të kënaqur. Larry dhe shoku i tij Ray e përshkruan Youngkin si “të afërt” me njerëzit, ndërsa John Rosenfeld, kryetar i Partisë Republikane në qarkun Cerro Gordo, tha se ishte “mbresëlënës”.
Megjithatë, shumica ranë dakord se është ende herët për të zgjedhur një kandidat për vitin 2028. “Ka shumë figura në garë,” tha Rosenfeld, duke përmendur Vance, Rubio dhe Cruz, por edhe guvernatorin e Floridës Ron DeSantis dhe sekretaren për Sigurinë Kombëtare, Kristi Noem.
Një mik i tij, që nuk deshi të identifikohej, përfundoi me një vëzhgim tipik për politikën amerikane: “Gjithmonë ka surpriza, apo jo?”









