Pas Prime-it të së martës, ku vendosi ta linte përkohësisht shtëpinë e Big Brother VIP, Rogerti u rikthye disa minuta më vonë dhe komentoi përvojën e tij në dhomën e rrëfimit.
Ai e quajti veten të dobët pas këtij veprimi dhe identifikoi kundërshtarët më të fortë brenda shtëpisë. “Ndihem shumë i dobët, unë si Rogert. Është njësoj sikur jemi në një garë dhe kam dalë për një orë e gjysmë, tani duhet t’i kap, t’i arrij disa banorë. E di si do t’i kap? Me mirësjellje, jo me ofendime. As unë nuk e njoh veten tamam. Unë kam një problem, bëj shumë gjëra dhe nuk mbaj mend shumë. Por e shoh që këtu brenda nuk kam kundërshtarë më të fortë se Miri dhe Selin. Miri mezi priste që të dilja”, u shpreh Rogerti.
Vendimi i tij për të dalë nga shtëpia pas debatit të fortë me Selin erdhi pas komenteve të opinionistes Monika Kryemadhi, e cila komentoi situatën gjatë Prime-it. Largimi i papritur nga dera e kuqe surprizoi jo vetëm banorët, por edhe publikun, duke hapur diskutime për strategjinë dhe qëndrimin e tij brenda lojës.
Sot, Rogerti u shpreh se ka vendosur t’i rikthehet lojës me qasje të ndryshuar, duke theksuar se do të veprojë me mirësjellje dhe pa ofendime ndaj banorëve. Ky rikthim tregon një nga momentet më të sinqerta të tij brenda shtëpisë dhe vendosmërinë për të mbajtur lojën nën kontroll pa tensione të panevojshme.









