Pedagogu Roland Bejko, në një intervistë për emisionin “Review” në Euronews Albania, u shpreh kundër protestës të thirrur nga Sali Berisha më 20 shkurt.
Bejko theksoi se protesta po bëhet me nevojën që ka foltorja e Berishës për mitingje.
Ai theksoi se pas masës së sigurisë ‘arrest shtëpie’ për Sali Berishën, opozita filloi të kishte rrjedhje duke nënvizuar se Berisha nuk mbajti premtimet e dhëna për dy vite me radhë.
“Protesta që do të zhvillohet me 20 shkurt është një protestë që bëhet duke u nisur nga rrethanat që është gjetur foltorja dhe aleanca e foltores. Që me izolimin e Berishës, opozita filloi të kishte rrjedhje nga anëtarët e vet dhe të kishte një lloj çorentimi, mungesë besimi dhe thyerje në raport me militantët, mbështetësit dhe lidershipit të saj. Atyre u ishte premtuar për dy vite me radhë, përmes një revolucioni popullor do të përmbysnin regjimin e Ramës për 6 muaj. Kaluan dy vjet dhe kjo nuk u bë dhe lideri jo vetëm që nuk u forcua, nuk bëri një PD më të madhe dhe më demokratike, por bëri një grupim klanor të vogël, ku atemonte këdo që ishte kundërshtari i tij”-tha ai.









