Roma frenon Milan, i ndal në një “X” 1-1, një barazim për të cilin feston shumë Inter, me zikaltërit që “arratisen” në krye të Serie A, plus 5 në raport me “djallin”. Më shumë se sa gara për titull, me ekipin e Chivu-t që dukshëm ka diçka më shumë se të tjerët, jo vetëm pikët, akoma më e bukur po bëhet “beteja” për një vend në Champions, kjo edhe për meritë të Juves.
Në stadiumin “Olimpik”, Roma e Gasperinit e nisi ndeshjen “zjarr”, në fraksionin e parë zhvilluan një presion asfiksues në zonë e Milan duke tentuar kuadratin në çdo formë, por si gjithnjë Mike Maignan ishte i pakalueshme duke treguar reflekse të pastra. Malen dhe pjesa tjetër e fazës ofensive nuk i besonin syve se si topi nuk përfundonte në kuadrat.
Në fraksionin e dytë, Milan u zgjua, me ekipin e Allegri-t që filloi duke fituar metra në fushë, duke tentuar portën e Romës. Në një nga të paktet raste, në minutën e 61-të, gjatë zhvillimeve të një goditje këndi, Modric futi një top të bukur në zonë, aty ku De Winter me kokë tundi rrjetën duke realizuar golin e parë me fanellën kuqezi. Do të ishte një mëkat nëse Roma do të dilte “duar bosh” nga kjo sfidë dhe më në fund pas disa përpjekjeve, në minutën e 74-ët fituan një 11-metërsh. Nga pika e bardhë, Pellegrini u tregua i saktë duke barazuar shifrat në 1-1.
Të kënaqur nga rezultati, dy ekipet bën pak në minutat e mbetura duke ndarë nga një pikë. Si gjithnjë, Max Allegri e sheh gotën gjysmë plot edhe pas këtij takimi: “Arritëm të fitojmë një pikë në raport me Napolin dhe ruajtëm diferencën me Romën. Të barazosh 1-1 në Romë në këtë pikë të sezonit është shumë e rëndësishme”, u shpreh Allegri pas ndeshjes.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb








