Zbardhen të tjera detaje nga aksidenti i sotëm në rrugën Levan-Tepelenë. ArgjiroLajm.net mëson se oficeri i policisë kufitare në Gjirokastër, i cili mbeti i aksidentuar është shtetasi Adem Demollari. Ai udhëtonte me makinë policie, bashkë me djalin e tij, Vangjel Demollari. Të dy kanë mbetur të plagosur. Po kështu është plagosur edhe drejtuesi i automjetit tjetër. Janë ende të paqarta rrethanat se përse babë e bir udhëtonin me makinë policie. Më poshtë njoftimi paraprak për ngjarjen, i dhënë nga Policia e Shtetit.
Në datën 20.12.2018, rreth orës 14:50, në rrugën Levan-Tepelenë në vendin e quajtur “Kthesa e Kashishtit”, mjeti me targë policie me drejtues shtetasin Adem Demollari, 49 vjeç, është përplasur me automjetin tip “Volkswagen” me drejtues shtetasin Agim Zeqeo, 51 vjeç. Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar dy drejtuesit e mjeteve dhe pasagjeri në mjetin e policisë, shtetasi Vangjel Demollari, 26 vjeç si edhe 2 pasagjeret në mjetin tip “Volkswagen”, shtetaset Valbona Zeqo, 44 vjeçe dhe Bexhet Bushi, 60 vjeçe. Shtetasit e dëmtuar ndodhen në Spitalin Rajonal Fier nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.