Policia ka bllokuar rreth 71 mijë euro në Kakavijë, si dhe ka bllokuar një makinë luksoze. “V. G., 49 vjeç, lindur në Sarandë dhe banues në Greqi, të cilit gjatë kontrollit në automjet iu gjet një sasi prej 70900 eurosh, të cilat i kishte fshehur në automjet, me qëllim shmangien e kontrollit“, – thotë policia.
Njoftimi
Policia Kufitare vijon zbatimin e masave për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Bllokohet një tjetër mjet luksoz i vjedhur. I sekuestrohen 70900 euro një shtetasi, i cili tentoi t’i transferonte në mënyrë të paligjshme drejt Greqisë.Procedohen penalisht dy shtetas.
Në vijim të zbatimit të detyrave të përcaktuara në planin e masave për shtimin e kontrolleve në pikat doganore, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si rezultat i kontrolleve te imtësishme të kryera nga Policia Kufitare, në bashkëpunim me shërbimet doganore dhe Frontex-in, në dalje të RSH-së është bërë bllokimi dhe sekuestrimi i automjetit të markës Renault, me drejtues shtetasin shqiptar E. X., 21 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Greqi. Mjeti i këtij shtetasi rezultoi me ndërhyrje mekanike në numrin e shasisë.
Po në vijim të kontrolleve u kap shtetasi me inicialet V. G., 49 vjeç, lindur në Sarandë dhe banues në Greqi, të cilit gjatë kontrollit në automjet iu gjet një sasi prej 70900 eurosh, të cilat i kishte fshehur në automjet, me qëllim shmangien e kontrollit.
Në cilësinë e provës materiale u bllokuan 1 automjet dhe një sasi prej 70900 eurosh.
Veprimet e para hetimore për këto raste u kryen nga DVP Gjirokastër, për veprat penale “Trafikim i mjeteve motorike” dhe “Mosdeklarim i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi” dhe materialet në ngarkim të dy shtetasve i kaluan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.