Amerika ende nuk e di se cili do të jetë presidenti i saj. Gara mes Presidentit Trump dhe rivalit Biden vazhdon të jetë e ngushtë e në disa shtete kyçe ku mund të duhen ditë të tëra për të numëruar votat.
Trump në një moment u shpreh haptazi i sigurt për fitoren vetëm që më pas të deklaronte me shqetësim parregullsi të cilat siç tha do t`i çojë në Gjykatën e lartë. Nuk do të lejojmë që të na i vjedhin zgjedhjet, ishte deklarata e tij. Akuzat i vazhdoi me mesazhe të njëpasnjëshme në Twitter: “ Mbrëmjen e djeshme isha ne krye ne disa shtete, shpesh edhe në mënyrë shumë solide, e thuajse në të gjitha zonat që kontrollonin demokratet. Pastaj, njëra pas tjetrës, nisën të zhduken si me magji teksa numëroheshin vota surprizë. Shumë e çuditshme; ata që bëjnë sondazhe e kanë kuptuar krejtësisht dhe historikisht gabim”, ka shkruar presidenti.
Për momentin, Biden është në avantazh me vota popullore me një diferencë prej rreth 2 milionë, një situatë e ngjashme kjo me zgjedhjet e kaluara kur një kryesim të ngjashëm mbajti deri në fund edhe sfidantja e atëhershme e republikanit, Hillary Clinton.
“Nuk është as detyra ime e as e Trumpit të vendosëm se kush i fiton zgjedhjet. Kjo i takon popullit, por jam optimist për rezultatin”, deklaroi Biden duke shtuar se çdo votë do të numërohet.
Zyrtarë të fushatës së kandidatit demokrat, Joe Biden, thanë se janë të gatshëm të përballen me presidentin Donald Trump, nëse ai dërgon në Gjykatën e Lartë kërkesën për ndërprerjen e numërimit të votave. Nëse ndodhë një gjë e tillë “ne i kemi ekipet ligjore të gatshme për t’i rezistuar kësaj përpjekjeje,” tha menaxherja e fushatës së Biden, Jen O’Malley Dillon.
Deri tani, Bideni ka 238 vota elektorale nga 270 qe nevojiten për të siguruar presidencën, dhe Trump 213.
Diferenca e vogël/ SHBA, luftë e egër për Senatin
Një luftë e ashpër po zhvillohet në SHBA edhe për kontrollin e senatit, të cilin republikanët po përpiqen ta ruajnë me çdo kusht. Republikanët kanë një shumicë prej 53 me 47 në dhomën e lartë të Kongresi, çka do të thotë se demokratët po kërkojnë një fitore të pastër me 4 vende. Pesë vende deri tani, përfshirë disa në fushëbetejat e Georgias dhe Karolinës së Veriut, ende nuk janë vendosur. Demokratët janë të bindur sakaq se do të arrijnë të ruajnë mazhorancën në Dhomën e Përfaqësuesve. Edhe këtu, rezultati final mund të kërkojë kohë, pasi shumë vota janë ende në numërim. Ekspertët zgjedhorë thonë se të paktën për disa vende, nuk mund të bëhen parashikime derisa të numërohet edhe vota e fundit. Demokratët kanë nevojë të fitojnë tre vende nëse kandidati demokrat Joe Biden fiton Shtëpinë e Bardhë ose katër vende nëse Presidenti Donald Trump rizgjidhet për një mandat të dytë. Nëse dy partitë fitojnë nga 50 vende secila në Senat, është vota e zëvendespresidentit ajo që vendos. Ndikimi i Presidentit Trump do të jetë faktori vendimtar për shumicën e garave të ngushta zgjedhore, thotë profesorja Michelle Swers e Universitetit Georgetown.
“Nëse presidenti fiton një shtet, ka të ngjarë që kjo të reflektohet edhe në fitoren e kandidatit për Senat. Nëse ai nuk ka mbështetjen e duhur në një shtet, kjo do të ishte një pengesë e madhe të cilën ata duhet ta kompensojnë,” shprehet ajo