Një konflikt që dyshohet se nisi për një parakalim me makinë përfundoi me plagosjen me armë të një 37-vjeçari në Berat. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00 në hyrje të qytetit të Beratit, ku 37-vjeçari Fabjel Toska i njohur edhe si Fabjel Xhindi ishte duke lëvizur me makinë në shoqërinë e një të njohuri.
Mësohet se një automjet tjetër i ka parakaluar, ndërsa 37-vjeçari e ka sinjalizuar të ndalonte. Shoferi tjetër nuk ka ndaluar, ndërsa Fabjel Toska e ndjekur pas, ku dyshohet se është afruar te xhami i shoferit dhe i ka kërkuar shpjegim se përse parakaloi. Gjatë një debati me tonë të ashpra, shoferi tjetër ende i paidentifikuar e plagosi me armë zjarri 37-vjeçarin Fabjel Toska, i cili mësohet se ka marrë një plumb në bark.
Fabjel Toska u dërgua në Spitalin e Beratit nga personi që e shoqëronte, ndërsa bluzat e bardha konfirmojnë se është jashtë rrezikut për jetën.
Në dëshminë e parë Fabjel Toska alias Xhindi dhe shoku i tij kanë deklaruar se nuk e njohin personin që qëlloi me armë zjarri, ndërsa në drejtimin e Prokurorisë së Beratit është ngritur një grup hetimor që po punon për sigurimin e provave, të cilat do të shërbejnë për identifikimin e autorit dhe për zbardhjen e ngjarjes.
“Rreth orës 00:55, është dërguar në spital për ndihmë mjekësore shtetasi F. T. (Xh)., 37 vjeç, banues në Berat, i plagosur me armë zjarri në rrethana ende të paqarta, në hyrje të qytetit. 37-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”- njoftoi policia.









