Report Tv dhe Shqiptarja.com publikojnë fotot e automatikut të modifikuar që ka përdorur Kostandinos Kacifas të dielën e kaluar në Bularat të Gjirokastrës, kundër forcave policore dhe efektivëve të RENE-as.
Siç duket edhe nga fotot, mbi automatikun AK47 është montuar një shënjestër mjaft e sofistikuar. Gazetari investigativ Artan Hoxha e ka theksuar pak ditë më parë nga studio e emisionit “REPOLITIX” që arma e përdorur nga Kacifas ka qenë mjaft e sofistikuar, me plumba tejshpues, çka do të thotë që depërtojnë edhe makinat e blinduara.
35-vjeçari Kaçifa u ekzekutua nga RENEA, pasi refuzoi që të dorëzohej, ndërsa trupi i tij ndodhet në morgun e QSUT për ekspertizë mjeko ligjore, pasi familja kundërshtoi autopsinë në Gjirokastër. Ndërkohë ditën e djeshme konsulli grek në Shqipëri, ka zhvilluar një takim tek prokuroria e Krimeve të Rënda lidhur me hetimet për vrasjen e ekstremistit grek në Bularat të Gjirokastrës.
Mësohet se konsulli grek është takuar me prokurorin e çështjes dhe kreun e Krimeve të Rënda, Donika Prela. Mësohet se konsulli grek është duke u interesuar për vazhdimësinë e hetimeve nga ana e prokurorisë shqiptare.