Zbardhet vdekja e biznesmenit Armand Nelaj në Sarandë. Policia e Sarandës njofton se biznesmeni do i vinte eksploziv një anije që bënte linjën Sarandë-Korfuz, për motive konkurrence.
Por tritoli u ka shpërthyer duke i marrë jetën biznesmenit. Në pranga shoku i tij Erdion Muho.
Biznesmeni Armand Nelaj ndërroi jetë më 24 qershor pas një shpërthimi që tronditi Portin e Sarandës. Ngjarja u mbush plot me mister. Fillimisht u dyshua se ishte një polumbar të cilit i kishte shpërthyer bombola e oksigjenit, më pas hetimet e policisë u përqendruan drejt pistës së një atentati ndaj biznesmenit 52-vjeçar.
Një muaj më pas, Policia e Sarandës zbardh ngjarjen e rëndë duke i thënë fund misterit. Sipas Policisë, Nelaj ka humbur jetën pas shpërthimit të një tritoli, por në fakt ndaj tij nuk ishte planifikuar atentat. Nelaj bashkë me mikun e tij, Eridion Muho kishin planifikuar që t’i vendosnin tritol një anije turistike, ‘Finikas Lines’, për motive konkurrence.
Të dy mbrëmjen e 24 qershorit kishin marrë lëndën eksplozive, kishin hipur në një varkë të vogël dhe janë nisur drejt anijes ‘Finikas Lines’. Por, tritoli ka shpërthyer aksidentalisht, gjatë tentativës për ta transportuar dhe vënë në anije.
“Si rezultat i veprimeve të thelluara profesionale dhe hetimore, është arrestuar një shtetas i cili dyshohet se bashkë me 52-vjeçarin, do t’i vendosnin një anijeje një sasi eksplozivi, që shpërtheu aksidentalisht duke shkaktuar vdekjen e 52-vjeçarit.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore të kryera, bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur më datë 24.06.2024, në portin e Sarandës, ku si pasojë e një shpërthimi në det, humbi jetën shtetasi A. N.
Si rezultat i hetimeve, është ndaluar shtetasi E. M., 35 vjeç, banues në Sarandë.
Ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin A. N. kishin planifikuar vënien e një sasie eksplozivi te njëra nga anijet që operon në linjën Sarandë-Korfuz, për motive konkurrence.
Kjo sasi lënde plasëse ka shpërthyer aksidentalisht, gjatë tentativës për ta transportuar dhe vënë në anije, dhe si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. N.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme”, bën me dije Policia.









