Fredi Beleri, kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës nuk do të dalë shpejt nga burgu. Gjykatat rrëzuan kërkesat e tij për një masë më të lehtë sigurie, pavarësisht se në Himarë e shpallën fitues të zgjedhjeve të 14 Majit.
Së fundmi ishte Gjykata e Posaçme e Apelit që hodhi poshtë kërkesën e kryebashkiakut të Himarës për një masë më të lehtë sigurie. Beleri kundërshtoi vendimin që shpalli të ligjshëm arrestimin e tij në 12 Maj, kur iu vunë prangat për blerje votash. Të mërkurën gjykata rrëzoi kërkesën për një masë më të lehtë sigurie për arsye shëndetësore.
Vendimet e gjykatave për ta lënë në burg Belerin erdhën pas një opereacioni që nisi nga policia e Vlorës përmes një personi të infiltruar që iu ofrua Belerit për t’i shitur disa vota.
Kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule, nga foltorja e parlamentit denoncoi burgosjen e kandidatit fitues të Himarës, duke iu referuar kryeministrit Edi Rama si Ludoviku i Parë.
“Ne jemi në një fazë shumë të arrirë të pushteteve ku kemi shtet, qeveri, dhe një Ludovik që thotë; Shteti jam unë. Në një kohë kur Luigji i XIV ishte idhull, ky i joni është turp i kombit. Një qytetar, Fredi Belerit i dhunohet në mënyrë arbitrare në çdo këndvështrim, liria. Një kryetari të zgjedhur me mandat të ratifikuar të një nga 61 bashkive të vendit, i privohet e drejta kushtetuese. Një komuniteti, atij të Himarës, i nëpërkëmbet e drejta klasike e sovranit. Përse? Thjesht dhe vetëm se nuk i pëlqen Ludovikut të parë të Shqipërisë.
Autor i pengmarrjes së zotit Beleri është Rama. Para zgjedhjeve të majit, ishte ai që dha sinjalin në takimin me himariotë, të supozuar. Ky motiv i cili ishte denigrues, intimidues, nga çdo këndvështrim, abuziv, motivi ishte Fredi Beleri. Stigmatizimi, demoniuzimi i tij me qëllimin final rrëmbimin e Bashkisë së Himarës. 30 minuta para rrëmbimit të Belerit, Rama dha urdhrin që të rrëmbehet dhe të mbahet peng”, tha Vangjel Dule.
Një ditë më parë, një reagim i fortë erdhi nga Greqia për lirimin e Fredi Belerit. Ministri i Jashtëm i vendit fqinj Nikos Dendias tha se “Refuzimi që iu bë z. Beleri për të marrë detyrën si kryebashkiaku i ri i Himarës pengon drejtpërdrejt betimin e tij dhe nxit reflektim të thellë mbi qëllimet e vërteta që qëndrojnë pas ndjekjes penale.
Ministria e Jashtme e Greqisë po i ndjek nga afër zhvillimet dhe pret respektimin e prezumimit të pafajësisë – element themelor i shtetit ligjor – nga shteti fqinj”.
Akuzave se ka burgosur për arsye politike Fredi Belerin, kryeministri Rama nuk i është përgjigjur deri tani. Ai ka thënë se do të presë përfundimin e zgjedhjeve në Greqi për t’i dhënë përgjigje fqinjëve, në mënyrë që të evitojë deklaratat për efekt të fushatës.