Merkatoja e janarit ka qenë shumë aktive dhe ka parë lëvizje të befasishme nga futbollistë të shumtë. E të shumtë në numër, kanë qenë edhe lojtarët shqiptarë të cilët kanë ndryshuar skuadër gjatë janarit dhe do të luajnë në të tjera ekipe në pjesën e dytë të kampionatit, e madje edhe në kampionate të tjera. Padyshim që tre lëvizjet më të mëdha ishin ato të Manajt dhe Asllanit, që u transferuan në kampionatin turk, apo edhe mbrojtësi Klisman Cake që u largua nga kampionati maqedonas për të firmosur me Akhmat Groznin në Rusi, ku shpreson që të ketë minuta dhe të grumbullohet sërish nga Kombëtarja për dy ndeshjet e muajit mars.
Me këto dy transferime në kampionatin turk, tashmë kampionati italian ka kaluar në vendin e dytë për numrin e legjionarëve dhe vendin e parë në listë e ka zënë pikërisht Turqia, që në vitet e fundit është kthyer në oazin e shumë e lojtarëve jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga kampionatet më elitare të Europës.
KAMPIONATI TURK- Te Beshiktashi aktivizohet tashmë Kristjan Asllani, ndërkohë që Rei Manaj ka firmosur me skuadrën e Sivasporit duke u rikthyer edhe një herë pas aventurës që kishte në Iran. Sakaq, me Trabzonsporin po shkëlqen Ernest Muçi, por këto nuk janë të vetmit pasi edhe Indrit Tuci, Qazim Laçi, Arlind Ajeti e Taulant Seferi aktivizohen në Turqi duke e çuar në 7 numrin e futbollistëve të Kombëtares. Një tjetër emër që ka luajtur me Shqipërinë U21 por që ende nuk është grumbulluar me skuadrën e parë, është Arda Kurtulan, teksa edhe emra si Roshi, Rroca, Bardhi apo Liço i shtohen listës së lojtarëve shqiptarë që aktivizohen në kampionatin turk.
KAMPIONATI ITALIAN- Në Turqi mund të ketë shumë lojtarë shqiptarë, por Seria A padyshim mbetet liga më e fortë ku shqiptarët kanë shkëlqyer e madje shpesh herë janë shpallur edhe futbollistët më të mirë të javës apo muajit. Ylber Ramadani e Medon Berisha janë dy lojtarë që po shkëlqejnë te Leçe, ashtu siç edhe Gjimshiti po bën te Atalanta. Mbrojtësi tjetër i Kombëtares, Ardian Ismajli ka bindur me Torinon por dëmtimet e kanë penalizuar jo pak ndërkohë që së fundmi në Serinë A u bashkua edhe portieri Alen Sherri, që tashmë është pjesë e skuadrës së Kaljarit. Këtu, bëhet fjalë vetëm për lojtarë që janë pjesë e Kombëtares A, duke qenë se nga skuadrat e moshave ka shumë futbollistë shqiptarë që aktivizohen me ekipet e të rinjve, apo edhe emra si vëllezërit Shpendi që po shkëlqejnë në Serinë B. Në vitet e fundit, Seria A ka qenë një nga kampionatet që ka furnizuar më së shumti Kombëtaren kuqezi dhe që kanë spikatur si me Shqipërinë, ashtu edhe me skuadrat e tyre në kampionatin italian.
KAMPIONATI RUS- Megjithëse Rusia është e përjashtuar nga çdo kompeticion ndërkombëtar, në kampionatin rus aktivizohen dy lojtarë të Shqipërisë. Mirlind Daku është i konfirmuar në kampionat, aty ku ka shkëlqyer me Rubin Kazanin ndërkohë që listës i është shtuar edhe emri i Klisman Cakes. Mbrojtësi është tashmë pjesë e Akhmat Groznit.
KAMPIONATI SPANJOLL- Marash Kumbulla dhe Ivan Balliu janë dy lojtarët që aktivizohen në Spanjë, me këtë të fundit që prej shumë vitesh është pjesë e futbollit iberik. Ndryshe nga Kumbulla që luan si i huazuar, Balliu ka provuar të luajë me skuadra të ndryshme e madje edhe me akademinë e Barcelonës që në rininë e tij.
KAMPIONATI KROAT- Arbër Hoxha është padyshim kryefjala e momentit kur bëhet fjalë për lojtarët shqiptarë që luajnë në kampionatin kroat. Sulmuesi i Dinamo Zagrebit po shkëlqen me skuadrën e tij e në protagonist, është kthyer edhe Adrion Pajaziti. Mesfushori shqiptar ëhstë pjesë e Hajduk Splitit dhe ka zënë një vend të rëndësishëm.
BRITANIA- Në kampionatin anglez, është Armando Broja lojtari që përfaqëson Shqipërinë dhe aktivizohet me Bërnlein. Sulmuesi i Kombëtares ka nisur të marrë minuta dhe të aktivizohet ndërkohë që një tjetër përfaqësues është Anis Mehmeti i transferuar së fundmi te Ipsuiç në Championship, por që duket se ende nuk e ka bindur trajnerin SIlvinjo për ta marrë në skuadër. Jo shumë larg tyre, është Nedim Bajrami që aktivizohet me Rejnxhërsin, edhe ky jo në një moment të mirë me skuadrën skoceze dhe shpesh herë është menduar largimi.
KAMPIONATI SHQIPTAR- Si rrallëherë edhe nga kampionati shqiptar ka dy lojtarë që janë rregullisht pjesë e Kombëtares. Portieri i Egnatias, Mario Dajsinani dhe mbrojtësi i Dinamos, Naser Aliji janë dy lojtarët që aktivizohen në Superiore, duke qenë protagonistë me skuadrat ku luajnë. Mbrojtësi është aktualisht i dëmtuar, por deri në mars pritet të jetë gati për fanellën e Shqipërisë.









