Një punonjës shqiptar me pagë punoi mesatarisht në javë 42.9 orë, në vitin 2016, rreth 2.6 orë më shumë se mesatarja e orëve të punës së 28 vendeve anëtare të BE-së. Në një vit, një shqiptar punon mesatarisht 3 javë e dy ditë më shumë se një europian.
Të dhënat e fundit të INSTAT treguan se në vitin 2016 punonjësit shqiptarë kanë zgjatur kohën që rrinë në punë (nga 42.4 orë në 42.9 orë), ndryshe nga europianët të cilët kanë ulur numrin e orëve të punës.
Të dhënat bëhen të ditura pas krahasimit të një raporti të fundit të Bashkimit Europian lidhur me tregun e punës në Be dhe informacioneve të publikuara nga INSTAT.
Në Bashkimin Europian
Në BE, të punësuarit me kohë të plotë në Angli raportojnë orët javore më të gjata të punës në 2016-n, me 42.3 orë, 0.1 orë më pak se në 2014-n dhe në 2015-n. Ata ndiqen nga të punësuarit në Qipro me 41.7 orë, Austri me 41.4 orë, Greqi 41.2 orë, Poloni dhe Portugali me 41.1 orë. Të punësuarit në Danimarkë raportojnë më pak orë pune në një jave, vetë 37.8 orë. Këto katër e orë e gjysmë më pak se anglezët janë të barabarta me më shume se pesë javë pune në vit.
Zhvillimet në tregun europian të punës për periudhën 2015-2016 kanë regjistruar se orët mesatare të punës në një javë në 28 vendet anëtare të BE-së janë 40.3 orë. Lituania raporton më pak orë pune gjatë një jave.
Në 28 vendet anëtare të BE-së, orët javore të zakonshme në një javë janë rreth 40.3, njësoj si në 2015-ën, ndërsa kanë pësuar një rënie me vetëm 6 minuta në krahasim me 2014-n.
Lejet vjetore
Shqipëria, njësoj si Spanja dhe Portugalia, paguajnë 22 ditë pune leje vjetore.
Pjesa më e madhe e vendeve të Bashkimit Europian, 20 nga 28, kanë vetëm 20 ditë leje të paguara nga punëdhënësi, ndërsa Luksemburgu, Franca, Austria dhe Danimarka paguajnë 25 ditë leje vjetore. /Monitor