Nga Kristo MËRTIRI
Mesprilli i ’85-ës i shekullit që shkoi, nuk e di pse më gjeti në Vlorë. Sapo kisha filluar punë si korrespondent i “Bashkimit” për Lushnjën, Durrësin e Krujën. Ai muaj i bukur sikur nisi ndryshe nga herët e tjera. Më kërkonin me këmbëngulje nga Tirana. Duhej të shkoja urgjent në Gorre të Myzeqesë, e konkretisht te xha Lazja i famshëm i Tapive të para të tokës. Ia kish dhënë vetë me dorë Udhëheqësi pas Clirimit ! Mbetën sot e kësaj dite fotot, filmat dokumentarë, shkrimet etj. kujtime jo dosido.
Në dalje të qytetit të Flamurit, te ish agjensia e udhëtarëve, po kërkoja ndonjë makinë të rastit. Duke ecur gjatë rrugës me palma e pallate dy a tre katëshe, befas shpërthyen kujet dhe vajet labërishte të nënave. Sidomos nga apartamentet me dritare të hapura. U trondita jo pak. Qanin me ligje për ikjen e Komandantit ! Lajmin e hidhur e mësuan nga Radio Tirana.
Atë ditë të shtunë u nisa nga Lushnja. Drejt e në dasmën e jetimit, kushëririt tim Josifit, të cilin e kam dashur dhe e dua shumë. Ca skena fëmijërie të pabesueshme nuk shuhen as në pleqëri. Duhej t’i qeshte buza patjetër e për shumë arsye. E kush u martua e s’u gëzua !
Por një ankth po vërtitej si mjegull gri rrotull ish Vatrës së Kulturës. Orkestrina nga qyteti qe anulluar. Hija e zezë e zisë “kombëtare” afrohej e largohej pa fjalë, në heshtje. Mbi Kroin e Madh, po martohej edhe një vajzë. Dy dasma në një ditë. Asnjë muzikë. Asnjë këngë nuk po pipëtinte në ato gëzime të mëdha !
Të zotët e dasmës mbi Kroin e Madh, filluan t’i mbanin veshët ngrehur nga mëhalla e mesit. Dërgonin edhe korrierë a vëzhgues se a kishte shkrepur ndonjë këngë. Se nuk thonë kot, dasma pa aheng është si gjella pa kripë ! Kush guxonte ta thyente akullin paradoksal i pari ? Akull që mund të kushtonte jo pak.
-Fotua ynë i zgjuar, kurajoz i krisur dhe i përjashtuar nga partia prej dy dallkaukëve në rreth, dicka bisedoi kokë më kokë me ty. Nuk e kundërshtove, por u bëre serioz e sikur re në të thella,-rrëfen Josifi këtu në Tiranë.
Meto Malua, shoku ynë i fëmijërisë që kish bërë një kurs amator në fizarmonikë, u lajmërua shpejt dhe erdhi si me një frymë. Iliri rebel nga Durrësi, nuk po duronte më dhe nisi t’i binte tavolinës si xhaz. Atmosfera e ngrirë vazhdonte përzishëm.
Po ashtu mbi Kroin e Madh. Dasmat po përgjonin njera-tjetrën: Kush do vepronte i pari ? Pas urimeve dhe falenderimeve me gotë rakie në dorë, mbaj mend që kruajte zërin fort dhe nise këngën e shumënjohur nga Veriu në Jug: “Enver Hoxha tungjatjeta !…”. Dikush më vonë të tha se “kjo është si thikë me dy presa”(!). Metua me fizarmonikë dhe shumë dasmorë të shoqëruan me shpirt. Në fund të fundit, në fshat “u prish zia”…
Pas ca minutave, shpërtheu edhe në mëhallën e sipërme. Deri atëhere qarkullonte dridhshëm ajo urtësia kuptimplote: Kur bën dasëm fukarai, cahet daullja !
Vecse kjo ishte tjetër “daulle”, mund të kishte zero qar e më tepër zarar. Frika nga letrat në kupolën e rrethit a në qendër, u thye nga të gjithë. E vërteta është se nuk ndodhi asgjë në praktikë. Që sot të rrëfehej si persekucion apo rënie me a pa dashje në carkun e nenit të zi 55 për agjitacion e propagandë. Dhe dikush sot të kërkonte ndonjë përfitim a favor moral e financiar…
Sytë e lagur të Cifes e Zoicës s’harrohen. Nuk ishin vetëm lotë gëzimi. Se jeta është e cuditëshme, të hedh e të pret. Jona dhe Ana(mban emrin e Gjyshes që nuk e njohu dot), dy vajzat e mrekullueshme kryen studimet e larta për Mjekësi. Njera më e mirë se tjetra, në Amerikë dhe Gjermani. Model në shkollë, në punë e shoqëri…Edhe Zoica që ka lexuar e lexon shumë, i theu ca korniza të kohës pa kohë. Veshi vellon e nusërisë, që shpesh vlerësohej si “zakon prapanik”. Kuzhiniere duarartë.
Sot tregohet jo pa humor : Të nesërmen e kishte radhën nusja për ahengun ! Në mes të qytetit plasi kënga e vallja. Ishi dy lokale pranë e pranë. Te tjetri nuk u thye dot “zia”(?). Dhe nuk ishte thjesht se po prishej dasma për një qepë a një limon. Për ne vdekatarët e kësaj bote të krokolepsur, nuk ishte as ajo murtaja që pushtoi Evropën në shekullin e XIV-të dhe që shfarosi njerëzinë me kosë epidemie të papërballueshme. Sepse historikisht zia për një gjëmë të rëndë, në mjaft raste zgjaste shumë. Madje, edhe tërë jetën. Kam njohur e njoh gra të nderuara që nuk e hoqën kurrë veshjen e zezë korb nga trupi. Po pse vetëm femra ?!…
Ndërsa mua më fekste shpesh kënga e parë dhe ndoshta e vetme që vërshonte gurgullimë nga zemra e Fotos, që nga koha e asaj tragjedie familjare: “Shokë më sillni jongarë/ Do i bie me të qarë/ Për atë miken e parë…”.
Aty e zbrazte dhimbjen e pasosur që përvëlonte. Jetë me dallgë. Nipi i Cacos fatkeqe sot është nga skenografët më të njohur. Te bojërat dhe peneli i Pano Kondos, unë pikas edhe copëza nga portreti i pashlyer i asaj përmetareje 24 karat që nuk mundi të gëzojë as lulet e jetës…
Në Shqipërinë tonë, për emancipimin e femrës ka patur arritje të padiskutueshme në monizëm, në zonat fushore, kodrinore e malore. Historia ka mbajtur e mban shënim. Sidomos në Kulturë, Arsim e Shëndetësi. Asgjë nuk harrohet. Dhe as të mohohen apo retushohen. Ka ende breza dëshmitarësh të gjallë e dinjitozë. Përjashto hipokritët e demagogët, partiakët e cartur djathtas e majtas, që u mori lopata ujë. Dhe u tjetërsuan në kllounë për skenat e cirkut politik pluralist !…
Mirëpo, sic thekson i mencuri : Aromat e vendlindjes të dehin, po kurrë s’të velin.