Nga Kristo Mërtiri
Kështu na thoshte shpesh mbi 30 vite më parë (sa herë kthehej nga takimi me Njazi Jahon) kolegu e miku ynë i çmuar me karakter stëralli, Shyqyri Skënderi. Ndërsa në zyrën e Llazarit (Vero) vinte shpesh dhe zhytej nëpër koleksionet e gazetës “Bashkimi”, sidomos te ato të periudhës së Pasçlirimit kur ishte e vetmja media e shkruar në Shqipëri. Lexonte e lexonte pa pushim. Ashtu i qetë e pa vese, mbante ndonjë shënim të çastit dhe zbriste shkallët ngadalë e si i mbushur me emocione të reja nga kohëra të turbullta e gjurmëlënëse në histori. “Nëse do të njohësh një idealist të vërtetë 24 karat, takohu e bisedo nga afër me Njazi Jahon,-më tha parmbrëmë Llazua, pas mesnate me telefon nga Filadelfia. -Përqafoje fort e uroje edhe për mua, atë burrë të rrallë që u mbijetoi me dinjitet dallgëve shkumëbardha e shkumëzeza brigjeve të jetës! Si Njeri dhe si Jurist jo dosido me kontribute aspak të vogla, veçanërisht në Pluralizëm. Po erdha nga shtatori, do piqemi patjetër, na dogji malli…”.
Shumë pak mund ta dinë që ai këto ditë qershori mbush 100 vjeç!
Një shekull jetë, punë e ndershmëri. Dhe kurrë nuk ngjau me ata tipat që “ngulin qepë e shkulin hudhra” dhe bëjnë më tepër dëm sesa gjëra të vlefshme. Jurist e konstitucionalist serioz, i drejtë e modest në shkallën sipërore. Asnjëherë indiferent a fodull. Optimist i pandreqshëm për të ardhmen e vendit, për drejtësinë e vërtetë që e dashuroi me shpirt, sakrifikoi boll dhe nuk e tradhtoi asnjë çast. As kur u godit rëndë e padrejtësisht nga istikamet kobzeza të “Konferencës së Tiranës”, në 1956.
Sapo kish kapërcyer të tridhjetat. Në moshën më të bukur dhe me diplomën e fituar me djersë e zotësi jashtë shtetit amë. Me ëndrra të mëdha e të kulluara si bora mbi malin e Gjerë a mbi Çajup. Me idealet e rrënjosura në Manalatin e sertë dhe shpuzë, që jo më kot gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e pagëzuan me emrin “Stalingrad”. Bijtë e kësaj mëhalle gjirokastrite, kudo që shkuan në jetë, e morën me vete burrërinë, drejtësinë, sinqeritetin, guximin, trimërinë e ndershmërinë. Cilësi e virtyte që mbaheshin fort, qoftë duke paguar edhe një kosto jo të lehtë, siç ka ndodhur me mikun tonë, Njazi. Duke ndjekur lajmet për ngritjen si me katapultë të rrogave në majat e shtetit, Parlamentit e qeverisë (kur raporti me mijëra e mijëra pensionistë, punëtorë të thjeshtë etj. është ulëritës), unë e ngacmova për një nga njollat e “Konferencës së Tiranës”, 1956, pa ngulur këmbë vetëm te paralelizmi i fakteve në dy kohëra e dy sisteme të ndryshme politike.
E pyeta për kritikat e drejtpërdrejta ndaj “privilegjeve të Udhëheqjes” e veçanërisht për Bllokun e sapongritur. Gati 11 vite pas Çlirimit nga pushtuesit nazifashistë. Po u mjegullohej udha e Luftës nga erdhën. Në atë “ishull lumturie e begatie” të izoluar e të rrethuar me të gjitha llojet e armëve luftarake nga Garda e Republikës (e shkreta ti, moj Republikë!), po dëgjohej si me zor e rënkim amaneti i të rënëve, i lule djemtë e nënave që ikën në lule të jetës. Mirëpo, hipokrizia e monizmit me Dëshmorët e Atdheut, në pluralizëm u ngjit në majat më të larta. Dhe gjithnjë në emër të “Lirisë” e të “Demokracisë” që pollën me shumicë edhe emërtimet “oligarkë”, “milionerë pa djersë”, “politikanë pasanikë” e popull fakirfukara që numëron kafshatat e qindarkat çdo fundmuaji. Gati të gjithë me rroga shteti: shesin moral me okë nga vilat e apartamentet luksoze në Kryeqytet, në Gjirin e Lalëzit, ne Lundër e Farkë, në Golem, Vlorë, Sarandë etj. Hajdutëri pa çizme e me çizme pushteti dhe opozite kallpe e hileqare. Dhe siç thekson konstitucionalisti ynë i nderuar, “Shqipëria asnjëherë nuk ka bërë Reformë të mirë në Drejtësi”.
Për të qenë me të vërtetë zot i vetvetes, duhet të shkosh edhe kundër vetes! Sepse lakmia e makutëria shkelin me të dyja këmbët Ligjet, normat e rregullat, me të cilat funksionon Administrata e lartë dhe ajo e ulët shtetërore. Kontributi i këtij njeriu të pastër, duket qartë edhe te botimet nga fusha e Drejtësisë dhe e Legjislacionit. Por edhe në radhët e shoqërisë civile, si aktivist i spikatur e partizan i palodhur i mendimit juridik të kualifikuar. Deri në Komitetin Shqiptar të Helsinkit! Ai i ka zët reformat me ngërçe e kompromise partiake, të cilat shpeshherë ushqejnë nepotizmin e korrupsionin. “Një gjyqtar kur hyn në sallën e gjyqit, nuk duhet të jetë as ateist e as besimtar, as politikan dhe as i varfër a i pasur. Mbi të gjitha, të gjykojë me zemër !”. Sepse në fund të fundit, “as padrejtësia nuk është e barabartë për të gjithë”…
Fjala vjen, për reformën e vërtetë zgjedhore, ky jurist i shquar e i papërtuar, botoi edhe një libër të posaçëm. Kujtojmë ditën kur dikush lëshoi kundër tij një “tymuese” në media. Shumë e nxisnin t’i përgjigjej “për së mbari” me një analizë të gjatë. Por Njaziu e mbylli vetëm me dy a tri fjali që mbahen mend:
-Nuk mund të harxhoj kohë me dikë që s’ka haber, jemi mjaft larg njeri-tjetrit. Ju flisni vetëm politikisht, unë flas vetëm juridikisht ! Sot edhe lëngun e rrushit e quajnë “komunist”…
Lexon dhe vazhdon të lexojë i etur sot e gjithë ditën veprën e Shekspirit të përkthyer nga Noli i paarritshëm. Ndërsa parmbrëmë, po rilexonte në origjinal prozën vezulluese të Tolstoit. Kish ndalur te goditja që i jepej individualizmit sipas motos provinciale “Nga pragu e brenda të mos më prekë njeri!”. Veçse ai nuk hesht ose të tregohet menefrego përballë shkeljeve dhe abuzimeve të ndryshme. P.sh., për qytetin ku i ka rënë koka, reagoi menjëherë për mosprekjen e vlerave universale të Gjirokastrës. Po kështu për mbrojtjen e të drejtave të Njeriut, si devizë e jetës së tij. Është e pamundur të jesh i drejtë pa qenë human. Po të mos ishte mbytur qysh në djep protesta 67-vjeçare brenda “Konferencës së Tiranës” (të paktën ajo kundër privilegjeve e salltaneteve të tepruara në Udhëheqjen e vendit), burimet nuk do të turbulloheshin dhe as do të grinte e sakatonte gijotina shtrigë e Luftës së Klasave.
Luftë që herët a vonë po hante më keq se mola themelet dhe trarët e shtëpisë së përbashkët. Kjo krizë paradoksale, duke u bashkuar me atë ekonomike, i dhanë rrokullimën marramendëse sistemit politik dhe pushtetit popullor të fituar me aq shumë gjak e sakrifica në Luftë e në punën ndërtimtare. Disa myteberë të dhjamosur nëpër majat e shtetit monist, nuk i shikonin më as me dylbi hallet e njerëzve në qytete e fshatra. Ashtu nëpër kuajt e azdisur të pushtetit, u tjetërsuan si bejlerë e agallarë vithepashkundur përballë skllevërve me ëndrra të fikura. E kam theksuar shpesh, nuk e donin Shqipërinë si Sejfulla Malëshova i majtë gjer në kockë dhe çuditërisht i parehabilituar ende. Një “inat” gati mesjetar i pashpjegueshëm dhe i mbarsur me ligësi egërshane të pashoqe, ndaj atij njeriu të kulturuvijon nga faqja 1 ar e të rrogozit, që sot i prehen eshtrat tokave të Myzeqesë (?!). Veçse si ai opozitar i vërtetë, nuk ka të tjerë. Sa herë prek e drithërohem pranë vetmisë fisnike të mikut tim kokëplotë Njazi Jaho (shumë i afërt me ish-mësuesin tonë duarartë Muzafer, në Tepelenë), mendja më shkon vetiu edhe te fundi i njëjtë i Sejfullait, me rrënjët fare pak metra mbi vendlindjen time të shenjtë…
Ditët e fundit, kur Bashkia e Tiranës i akordoi titullin “Mirënjohja e Kryeqytetit”, bashkë me shekullorët konstitucionalistë Luan Omari e Ismet Elezi, përpara syve tanë shfaqej kontributi i tyre i pazakontë në funksionimin dhe konsolidimin e demokracisë e të shtetit të së Drejtës, në arsimimin juridik të brezave dhe në reformat cilësore. “Edhe vetë Media ka çfarë të mësojë, -më thotë Njaziu, paksa i pezmatuar. -Sepse ajo shpesh transmeton edhe fakte pa prova e deklarata fajësie pa vendime gjykatash të formës së prerë. Thjesht, kush e thotë se filani është hajdut, vrasës, përdhunues, mafioz etj.? Vetëm me “verdiktin” në gojën e medias, është për të qarë e për të qeshur. Shkelet çdo kufi ndershmërie profesionale e qytetare dhe lartësohet papërgjegjshmëria açike…”
Lumë kush e mbyll udhëtimin shekullor me nder e me faqe të bardhë. Prandaj edhe fjala e tyre mbetet melhem i veçantë njerëzor. Në bisedën e fundit me Njaziun shpirtnjeriu, kur i thashë jo pa humor se po shkoj në atë botë nën çatinë me kredi bankare (apartamenti), ma ktheu menjëherë me një episod për Dostojevskin: -Një ditë prej ditësh e thirri mbreti në rezidencën e vet luksoze novelistin, filozofin, eseistin dhe gazetarin e shquar. Në fund të takimit, i ofroi një dhomë a apartament jo dosido, atje ku banonte vetë. Dhe ja përgjigjja e shkrimtarit që mbylli sytë gati një shekull e gjysmë më parë:
-Faleminderit, zotëri! Por unë nuk punoj dot brenda në dhomë. Edhe në shtëpinë time të vogël, kam një kopsht. Vetëm aty shkruaj…
Dhe kalvari i penëhollit që mbrojti të varfrit, më vonë dihet. Vuajti 10 vite burg politik në Siberi, pas anulimit të vendimit për pushkatim! Iku pa mbushur 60 vjeç. Kujtoj një nga postulatet e tij të famshme: “Kurrë nuk do të mbërrini në destinacionin tuaj, në qoftë se ndaleni dhe qëlloni me gur çdo qen që leh”. Ose thënia tjetër kurdoherë lapidare: Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari!…
Autor që Njaziu e ka për zemër. Se miku im gjirokastrit i thekur, i qëndroi përjetësisht besnik devizës: Kur ka Drejtësi, aty ka Liri!/Tema