Disa lojtarë të Partizanit kanë pasur debutimin e tyre në Superiore, pikërisht këtë sezon. Siç është zakon, debutimet e para vijnë që në fillim me lojtarët e afruar gjatë verës. Kjo ndodhi edhe me Karlos Martinez dhe Xhudah Garsian ndaj Vorës. Martinez u dëmtua më pas në stërvitje, dhe nuk luan që nga java e parë. Tedi Malaj kishte provuar të luante në Final Four, por hera e parë në kampionat të rregullt ishte në javën e dytë ku Partizani barazoi pa gola ndaj Teutës.
Nebi Qokthi ndërkohë debutonte që në javën e parë, ndërsa Partizani mposhti Vorën me rezultat minimal. Më pas ishte koha për Arafat Doumbia, që të debutonte në fazën e parë ku Partizani u mposht nga Vllaznia me rezultatin 4-1.
Doumbia ishte pafat, pasi u dëmtua. Debutimeve iu shtua edhe Rouen Hjumen, që pati mundësinë e tij në ndeshjen tjetër ku Partizani u përball me Elbasanin. Debutim pafat, njëjtë si Doumbi, pati edhe Mateo Çipi. Mbrojtësi u aktivizua titullar ndaj Flamurtarit në Vlorë, por la fushën e lojës që në pjesën e parë për shkak dëmtimi. Debutimi më i bujshëm ishte ai i Diego Kontreras, që realizonte dopietë dhe largohej me karton të kuq.
Partizani ia doli të përmbysë rezultatin 2 me 3 ndaj Teutës, falë kontributit të tij. Rabjon Goga debutoi te humbja e Partizanit me rezultatin 2-0 përballë Dinamos. I fundit që iu shtua debutimeve ishte Kazim Ogunleje.
Këtij të fundit, njësoj si Kontrerasit, i mjaftuan pak minuta në fushë ndaj Egnatias për të shënuar. Koha nuk premtonte më shumë dhe sfida u humb 2 me 1 në Rrogozhinë. Mesfushori është pjesë e lojtarëve si Goga dhe Kontreras, që provuan për herë të parë ndjesinë e Superiores pasi kishin treguar veten me ekipin B.








