Gazetari Klodian Tomorri, ka bërë një denoncim në emisionin “Të Paekspozuarit” nga Ylli Rakipi në MCN TV, lidhur me vendimin e qeverisë për të shitur një tokë me sipërfaqje 55 mijë metra katrorë në bregdet, për vetëm 1 mijë lek për metër katror. Sipas Tomorrit, në atë zonë, në bregdetin e Gjirit të Lalzit, çmimi i tregut është rreth 10 herë më i lartë.
“Përfituesit janë dy kompani, të biznesmenëve Redi Peza dhe Gentian Sula. Ata i propozojnë Ministrisë së Financës, duke shfrytëzuar këtë mundësi që jep ligji që të marrin tokën shtetërore. Ministria ia çon qeverisë dhe kthehet në vendim.
55 mijë metra katrorë shiten me 1 mijë lek për metrin katror, pra rreth 10 dollarë për metër katrorë. Ka ndonjë vend ku mund të ndodhë kjo, pëfshirë Afrikën?
Argumenti që përdor qeveria, është që po japim tokën, sepse do të zhvillohet turizmi, do të përfitojmë taksa nga këto investime. Ky është argumenti përmes së cilit janë justifikuar shumë vendimet të dyshimta. E vërteta është se përfitimet për buxhetin dhe qytetarët janë minimale.
Për shkak të disa ndryshimeve në sistemin fiskal, sektori i turizmit thuajse është zhveshur nga taksat. Janë të parjashtuar nga taksat për ndikimin në infrastrukturë, të përjashtuar për 10 vite nga tatim fitimi, kanë TVSH të reduktuar në masën 6%.
Përfitimet që merr buxheti janë minimale. Në shumë raste, resorte të tilla turistike, jo vetëm nuk sjellin përfitime, por shkaktojnë kosto për qytetarët. Ngrihet resorti pastaj qytetarët paguajnë, rrugën, stacionin elektrik, ka patur raste që kanë paguar edhe pista helikopterësh dhe salltanete të tilla“, deklaroi Tomorri.
/TPZ.al/