Fiks Fare denoncoi një skandal në Mallakastër, ku numrat e amzës të ish-nxënësve të gjimnazit “Dervish Hekali”, janë dubluar masivisht, duke ngritur hije të mëdha dyshimi se diplomat janë marrë me para.
Madje, “viktimë” e këtij falsifikimi masiv ka rënë edhe drejtoresha e Zyrës së Arsimit Parauniversitar Mallakastër, Etilda Disha. Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua zonja Tatjana Beqiraj, e cila aktualisht jeton në Gjermani. “Kam qenë në atë gjimnaz në vitet 1991-1995. Pas shkollës së mesme bëra edhe shkollën e lartë dhe u diplomova. Prej disa vitesh jetoj në Gjermani, ku këtë shkollë doja ta konvertoja në atë shtet” pohon Tatjana. Ajo ka shkuar disa javë më parë në gjimnazin “Dervish Hekali” për të marrë një vërtetim, por sekretarja dhe drejtori i shkollës i thanë se me numrin e amzës së saj del dikush tjetër.
“Unë në vitin 2012 kam marrë një vërtetim dhe s’dilte askush. Do e kenë bërë më mbrapa. Ishte një vajzë në emrin tim, më e vogël se unë” vijon Tatjana, teksa shton se “para disa ditësh më thanë se vërtetimin do të ma japin me shënim”. Ish-maturantja e asaj shkolle në vitin ’95 thotë se drejtori i firmosi vërtetimin me shënimin “në regjistrin amzë që disponon shkolla jonë, numri i amzës që i përket znj. Tatjana Brahimi (Beqaraj – mbiemri vajzërisë) është i korrigjuar. “Ky shënim mua më pengon shumë, pasi nuk bëj dot konvertimin. Dyshoj se mund të kenë shitur diploma me numra të vjetra amzash” përfundon Tatjana.
Pas ankesës, ajo shkon në gjimnazin “Dervish Hekali” dhe takon sekretaren Nertila Agimi dhe drejtori Vullnet Sadikaj. Sekretarja i thotë se s’i jep dot vërtetim pa shënime, pasi s’mund të mbulojë se çfarë është bërë kohë më përpara. “Unë shkruaj ato ça shoh. As nuk të shtoj dot, as nuk të heq dot. Nëse ti më kërkon kështu, i bie që unë po e mbyll njërin sy. Vërtetim ndryshe nga shkolla me firmën timë nuk del” i thotë ajo, teksa i sugjeron që të hap proces gjyqësor. Sekretarja pranon se ka shumë probleme dhe “provat” janë te regjistrat.
Denoncuesja takon më pas drejtorin Vullnet Sadikaj. “Atë e ka kapur sekretarja, ka njoftuar edhe Zyrën (e Arsimit Mallakastër) tani dhe s’e di se çfarë përgjigje do të japin edhe ata tani. Sepse edhe ne s’mund të ndërhyjmë dot atje pa proces gjyqësor. E di sa janë, janë 57 veta! Sepse çfarë ka ndodhur, kanë filluar me një këtu, ka shkuar deri te 50-ta, pastaj kanë hyrë këtu. E kupton se ça them, s’është se… se unë s’mund të pretendoj që janë futur për 50 veta duart aty! Ata (ZVA) do të njoftojnë lartë. Dmth se s’është 1, 2” i thotë ai, ndërsa pranon se çfarë s’është bërë me amzat. Drejtori tenton që të bindë sekretaren që t’i japë denoncueses një vërtetim të pastër, por ajo nuk pranon.
“Nuk pranon, nuk di as unë çfarë të bëj. Për mua rruga më e shkurtër është kjo që thashë unë hap një proces gjyqësor, që mos të vonojë. Ne e kemi dërguar, po Zyra thjeshtë e përcjell lartë. Edhe Etilda Disha, drejtoresha (aktuale e ZVA-së Mallakastër) është te kjo anë, ka të njëjtin problem” pohon drejtori. Sipas tij, çështja është diskutuar. “Edhe ka qenë momenti atje tha më duket se jam edhe unë i kësaj hapësire. Kur erdha lartë i thashë do ta shikoj. Edhe drejtoresha të njëjtën gjë ka, ka korrigjim të numrave” përfundon drejtori.
Gazetarët e “Fiks Fare” shkuan në ZVA Mallakastër, ku i vetmi në punë ishte një punonjës. Ai pranoi se në atë shkollë ka shumë probleme, por ZVA-ja vetëm sa përcjell problemet dhe nuk i zgjidh dot. Punonjësi bisedon edhe me drejtoreshën, e cila i thotë se do e përcjellë në Drejtorinë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Fier këtë problematikë. Por, deri më sot, informacionet janë shkëmbyer vetëm mes gjimnazit dhe ZVA-së, duke minimizuar këtë skandal, ku “viktimë” është edhe vetë Etilda Disha, drejtoresha e kësaj zyre. Fiksi tentoi që të bisedojë me drejtoreshën, por ajo nuk ishte në zyrë dhe i tha punonjësit se “kam marrë një vërtetim”. Gazetarët i bënë disa pyetje ZVA-së, por deri në transmetimin e kësaj kronike, nuk morën asnjë përgjigje.
***
Shkolla e Mesme “Dervish Hekali”, Mallakastër
Denoncuesja – Unë telefonova dhe më prish shumë punë ajo (shënimi).
Sekretarja – Tani na vjen keq.
Denoncuesja – Unë do të takoj drejtorin se ai më tha do ta japë.
Sekretarja – Jo, jo s’ka shanse drejtori. Tani unë ta shpjegova.
Denoncuesja – Jo, jo do ti them merre këtë se nuk më hun në punë.
Sekretarja – Ato ça unë shoh, i shoh! As nuk të shtoj dot, as nuk të heq dot. Nëse ti më kërkon kështu, i bie që unë po e mbyll njërin sy.
Denoncuesja – Jo, jo e dua si origjinalja ime se mua më prish punë. Unë telefonova atje dhe më hap punë ajo fleta që del …
Sekretarja – Ndryshe, ndryshe nga shkolla me firmën timë nuk del!
Denoncuesja – Jo, jo më jep emrin e gjej vetë unë atë. E gjej vetë atë zonjën që është te numri i amzës time. Unë shkoj hap çështje gjyqi.
Sekretarja – Hape se na lodhe.
Denoncuesja – Për Zotin se edhe unë u lodha.
Sekretarja – Vazhdo! Për faktin se erdhe me dokument …
Denoncuesja – Unë s’të vëj në faj ty.
Sekretarja – Tani ndryshe s’del nga sekretarja. Jo ça ishin ato po edhe shteti të ngrihet në këmbë.
Denoncuesja – Pse në emrin tim të jetë dikush tjetër? E di që s’e ka fajin, jam e vetëdijshme.
Sekretarja – Pse gjeje, hidhe institucionin në gjyq dhe vazhdo procedurat gjyqësore siç vazhdon pjesa …
Denoncuesja – Jo, jo unë dua vetëm regjistrin ta shikoj ku është bërë korrigjimi dhe te cili regjistër është bërë korrigjimi. Që të dijë edhe unë ti them …
Sekretarja – Po e pe ti te amza.
Denoncuesja – Po e mbaj mënd unë ça pashë më! Cili është emri?
Sekretarja – Më dalin shumë këto gjëra tani!
Punonjësja – Si shpjegohet?
Sekretarja – Nuk e di si shpjegohet, janë aty kanë egzistuar dhe janë. Doli drejtori.
Denoncuesja shkon të takojë drejtorin
Denoncuesja – Tani unë nuk e di, në Tiranë do të jetë kështu me korrigjim apo pa korrigjim. Kam ngelur edhe unë, se unë s’mund ta djeg shkollën. Kjo është ideja.
Drejtori – Po s’e di, atë e ka kapur sekretarja, ka njoftuar edhe Zyrën (e Arsimit Mallakastër) tani dhe s’e di se çfarë përgjigje do të japin edhe ata tani. Sepse edhe ne s’mund të ndërhyjmë dot atje pa proces gjyqësor.
Denoncuesja – Unë dua vetëm numrin e regjistrit ku është bërë gabimi im. Te i pari ishte ok, te i dyti ok, te i treti ok, te i katërti dilte (me korrigjime).
Drejtori – Më dëgjo pak, unë i thashë (sekretares) jepja (vërtetimin).
Denoncuesja – Në regjistrin e amzës që disponon shkolla jonë, numri i amzës që i përket zonjës Tatjana Ibrahimi është i korrigjuar.
Drejtori – Edhe ne dërgojmë kopjen e amzës, nëse vemi në atë rrugë (në gjyq). Sepse nuk je vetëm ti.
Denoncuesja – Edhe pse duhet të paguajë unë për këtë gabim.
Drejtori – E di sa janë, janë 57 veta! Sepse çfarë ka ndodhur, kanë filluar me një këtu, ka shkuar deri te 50-ta, pastaj kanë hyrë këtu. E kanë lënë këtu, e kanë filluar prapë këtu, kanë korrigjuar këtu 35 … E kupton se ça them, s’është se… se unë s’mund të pretendoj që janë futur për 50 veta duart aty! Ata (ZVA) do të njoftojnë lartë. Dmth se s’është 1, 2.
Denoncuesja – 2 muaj dhe s’është marrë një përgjigje. Unë s’mund të lejoj që shkollën që kam bërë unë dikush tjetër të përfitojë.
Drejtori – Unë po të them ça s’janë bërë me ato amzat.
Punonjësja – Janë bërë, janë bërë.
Denoncuesja – Ore do të dali ajo. Nuk mund ta dalë, kushdo që mund të jetë. Eca me fjalën tuaj që do e marr.
Drejtori – Po ja ti themi edhe njëherë (sekretares), po nuk mendoj se do të ndryshojë. Po ja do ta thërrasë.
Shkon pas disa minutash …
Drejtori – Nuk pranon, nuk di as unë çfarë të bëj.
Denoncuesja – Unë e kuptoj atë se mbulon gabimin e dikujt tjetër po ta japë. E kuptoj shumë mirë.
Drejtori – Jo, jo. Shiko, për mua rruga më e shkurtër është kjo që thashë unë hap një proces gjyqësor, që mos të vonojë.
Denoncuesja – Po në Zyrën Arsimore e keni dërguar?
Drejtori – Ne e kemi dërguar po Zyra thjeshtë e përcjell lartë.
Denoncuesja – Po Etilda Disha, drejtoresha (aktuale e ZVA-së Mallakastër) ka qenë një vit mbas meje (në gjimnaz).
Drejtori – Po e di, e di se edhe drejtoresha është te kjo anë.
Denoncuesja – Dhe ajo ka probleme?
Drejtori – Ka të njëjtin problem!
Denoncuesja – Po kur s’ka zgjidh problemin e vetë çfarë kërkoj unë.
Drejtori – Këtë doja të thoja sepse e kam kërkuar edhe vetë, sepse e kemi diskutuar. Ja po të duash shko edhe te drejtoresha. Edhe ka qenë momenti atje tha më duket se jam edhe unë i kësaj hapësire. Kur erdha lartë i thashë do ta shikoj. Edhe drejtoresha të njëjtën gjë ka …
Denoncuesja – Është një vit mbas meje.
Drejtori – Ka korrigjim të numrave.
***
ZVA Mallakastër
Gazetari – Si kaluat?
Punonjësi – Urdhëro!
Gazetari – Përgjegjësen deshëm.
Punonjësi – Ç’a kishit?
Gazetari – Na duhet vetëm për një informacion.
Punonjësi – S’është!
Gazetari – S’ishte asnjë punonjës.
Punonjësi – Po ne a jemi këtu?
Gazetari – Ti po, vetëm ti qenke! Zyra Arsimore vetëm 1 ka?
Punonjësi – S’ka vetëm 1.
Gazetari – Po për një probleme amze kemi, te Shkolla e Mesme “Dervish Hekali”, për 1 nxënëse …
Punonjësi – Atje ka shumë probleme amze!
Gazetari – Po dhe vetë përgjegjësja ka një problem të tillë.
Punonjësi – Po, është shumë …
Gazetari – Që është vetë përgjegjësja Etilda, ka një problem korrigjimi me numrin e amzës që ka mbaruar shkollën që del dikush tjetër. Janë 57 nxënës.
Punonjësi – Për amzat, probleme mund të ketë nga më të ndryshmet për amzat e vjetra.
Gazetari – Të vitit ’94-’95.
Punonjësi – Sepse ne ato që vijnë, dokumentet që marrim në shkolla, i legalizojmë për jashtë shtetit e kupton …
Gazetari – Po, edhe ajo për jashtë shtetit e donte! Donte të bënte konvertimin e një diplome në Gjermani.
Punonjësi – Një pjesë e mirë e njerëzve që kanë, vetëm me gjykata i kanë zgjidhur!
Gazetari – Po janë 2, aty dilnin 2 persona.
Punonjësi – Ajo është më keq akoma.
Gazetari – Kjo (denoncuesja) ka marrë 1 vërtetim në 2012-ën. I ka dalë çdo gjë në rregull.
Punonjësi – Ai vërtetimi është marrë …
Gazetari – Kurse ky (i 2024-ës) shënim në regjistrin që disponon shkolla jonë, numri i amzës që i përket zonjës Tatiana Brahimi është i korrigjuar.
Punonjësi – Kaq, siç e kanë parë atje!
Gazetari – Po kjo ka diplomën e vjetër!
Punonjësi – Hahaha, tani shiko … Prandaj të thashë, ideja të shkruhen saktë gjërat, po s’janë shkruar ç’të bëjmë?!
Gazetari – Por, ndërkohë në 2012-ën ajo e ka marrë mirë (vërtetimin)?
Punonjësi – Mirë pra mirë, s’ka rëndësi se çfarë ka marrë. Ne nuk mbajmë përgjegjësi se çfarë ka shkruajtur ai as i 2012-ës. Sot ai që është sot përshembull, ka parë që ka një dublim emrash, ose dublim numrash. Kjo është ideja apo jo?
Gazetari – Po pra.
Punonjësi – Që del dikush në të njëjtin numër.
Gazetari – Në të njëjtin numër del një person tjetër, po!
Punonjësi – Po nuk mundet që amza e shkollës të ketë të njëjtin numër për dy persona, se s’ka ajo vjen në mënyrë progresive.
Gazetari – Një numër, dy persona! Po si ka mundësi që janë 57 probleme të tilla në këtë shkollë?!
Punonjësi – Tani ajo do verifikuar atje, si është, qysh është, ça ka?
Gazetari – Po mirë një person, prandaj donim përgjegjësen të shkonim bashkë me përgjegjësen atje, meqenëse ka edhe ajo të njëjtin problem. Si mund ti jepej zgjidhje këtij rasti?
Punonjësi – Do vesh në gjykatë!
Gazetari – Kjo (dublimi) është bërë pas vitit 2012, se në momentin që e ka marrë (vërtetimin) në 2012-ën…?
Punonjësi – 2012-ta nuk tregon asnjë gjë.
Gazetari – Se deri në 2012-ën ka qenë saktë se vërtetimi thotë …
Punonjësi – Në 2012-ën, ai drejtor që ka qenë, apo ajo sekretarja që ka qenë, i ke vajtur ke kërkuar atë vërtetimin, ka parë numrin dhe ta ka dhënë. Po s’e di që …
Gazetari – Me atë numër është edhe dikush tjetër!
Punonjësi – S’është se është bërë në 2012-ën kjo!
Gazetari – E di ça probleme i hap zonjës në këtë rast, kësaj zonjës që ka ardhur … ?!
Punonjësi – Po si s’e dimë ne ça problemi!
Flet në telefon me drejtoreshën e ZVA-së
Punonjësi – Kemi Sokolin nga Top Channel, ata të Fiksit janë për këtë problemin e amzave.
Gazetari – Po ke edhe vetë problem të tillë thuaji.
Punonjësi – Këta thonë ka edhe drejtoresha të tillë problemi. Hahaha …
Gazetari – Dhe ti vetë ke probleme?
Punonjësi – Ke vajtur edhe ti te Fiksi?
Gazetari – Tani përgjegjësja ka të njëjtin problem apo jo, këtë duam ne?
Punonjësi – Atë do pyesni atë ju!
Gazetari – Po je në telefon, na e pyet dot?!
Punonjësi – Vërtetimin e ka marrë në rregull. Po mirë, mirë hajt. Kjo s’është se do të lihet me kaq gjë. Nuk e di kush do të shkojë me shpejt ju apo ne.
Gazetari – Te Drejtoria Arsimore?
Punonjësi – Ne atje i dërgojmë, se ne s’kemi.
Gazetari – Po ju e keni çuar deri më sot? Se ajo ka ardhur para 2-3 ditësh, ka ardhur edhe këtu më tha!
Punonjësi – Ndërkohë ajo na vjen nga shkolla, ajo problematika që gjen shkolla, zyrtarisht dhe ne zyrtarisht e përcjellim.
Gazetari – E ka sjellë shkolla? Që ju më pas ta çoni te DRAP-i në Fier?
Punonjësi – Shkolla ka prurë diçka. Po ne do të shikojmë atë dhe do kërkojmë shkollës si ta japim më të qartë.
Gazetari – Besoj se e kuptove pyetjen time, shkolla e ka sjellë këtu (te ZVA) që ju ta çoni më lartë (DRAP-i Fier)?
Punonjësi – Shkolla në momentin që e ka evidentuar do të nisë procedurat patjetër. Do vijë shkresë, do shikohet, do dërgohet gjithandej se ne … Ore ne nuk i japim dot zgjidhje kësaj pune. Se nuk është kjo që ka ardhur te ju, se po të vijnë të gjithë këta që kanë probleme me amzat, nuk ka derman nga të vejë më para.
Marrë nga Top Channel.