Qytetarët të cilët kanë kredi ekzistuese në Micro Credit Albania, duhet të vazhdojnë të shlyejnë këstet e mbetura edhe pas caktimit të masave të sigurisë për administratorët dhe revokimin e licencës nga Banka e Shqipërisë.
Kështu deklaroi drejtori i departamentit të mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë, Deniz Dëralla në emisionin Zona Zero me Milaim Zekën në Top News.
Deniz Dëralla: “Qytetarët të vazhdojnë të paguajnë detyrimet e tyre në mënyrë që të pastrojnë historikun e tyre në regjistrin e kredisë. Vetëm shlyerja e plotë e detyrimit mund t’i bëjë këta qytetarë të besueshëm për sistemin financiar mund t’i bëjë ata që në të ardhmen të kenë mundësinë të marrin sërish kredi apo të financohen nga institucionet financiare. Ndërkohë i këshillojmë që të ruajnë mandat pagesat e tyre pasi shumë shpejt në momentin e vendosjes në likuidim të këtyre kompanive, sigurisht që do të bëhet evidenca e të gjithë këtyre pagesave, do të bëhet pasqyrimi në regjistrin e kredisë.”
Kreu i dhomës së Përmbaruesve, Tedi Malaveci e cilësoi si skemë kriminale gjithë rrugën e ndjekur me shitjen e kredive të këqija tek institucionet financiare jo banka, dhe vlerësoi se asnjë klient nuk mund të vazhdojë të shlyejë një kredi të marrë në kushtet e mashtrimit.
Gjithashtu Malaveci sqaroi se këtë të martë mbahet seanca për kallëzimin që dhoma e përmbaruesve ka bërë ndaj guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Sipas Malavecit, kanë qënë në total 96 mijë kredi të shitura nga bankat e nivelit të dytë në këto institucione, të cilat kanë pasur një efekt social të madh.









