Gola, spektakël dhe Luftëtari triumfues në Korçë. Skënderbeu-Luftëtari ishte pa dyshim një nga sfidat më të bukura të këtij sezoni, që nxori ndoshta edhe me shumë fat fituese skuadrën gjirokastrite me rezultatin përfundimtar, 2-3. Në përballje që doli jashtë skemave taktike, me sulme e kundërsulme të shpejta nga të dyja skuadrat, ku portierët Teqja dhe Ruçi, sidomos “gardiani” bluzi, u bënë protagonistë me disa ndërhyrje vendimtare.
25 minutat e para ishin vërtet të çmendura. E hapi serinë e golave Bregu, në minutën e 10-të, i ndihmuar edhe nga devijimi i mbrojtjes, por vetëm një minutë më pas barazoi Demo, në zhvillimet e një goditjeje të lirë për miqtë.
Luftëtari shtangu tifozët korçarë në minutën e 18-të, moment kur Radas ne tentativë për të larguar rrezikun devijoi në portën e Teqjes.
Gjithsesi, në të 25-tën Bregu ekzekutoi mjeshtërisht një goditje të lirë, duke e lënë të palëvizur Ruçin.
Skënderbeu iu afrua shumë herë golit në pjesën e dytë, por pas një rasti të shpëtuar në limit nga portieri dhe mbrojtja korçare, Luftëtari fiton një 11-metërsh të dyshimtë, që u shndërrua në gol nga Shkurtaj. Kontestuan me forcë futbollistët vendës, por arbitri nuk kishte asnjë dyshim për penalltinë e dhënë. Te kota tentativat e Skënderbeut në minutat e fundit, ndërsa Luftëtari iu gëzua një fitoreje të madhe, që e largon nga zona e ftohtë. Kjo disfatë i kushton shumë Skënderbeut, që sheh ta parakalojnë në renditjen si Kukësi dhe Teuta, ndërsa Partizani kryesues shkon +6 pikë.