87% e qytetarëve thonë se kanë paguar rregullisht taksat dhe tarifat vendore në kominitetin ku ata jetojnë.
Shifra është rezultat i një sondazhi të kryer nga Co Plan për perceptimin e banorëve mbi taksat lokale dhe shërbimet publike që ata marrin.
Në përgjigjet që qytetarët japin, duket se ka një disiplinim të tyre në pagimin e detyrimeve, pasi mbi 70% e tyre thonë se janë të informuar për to.
Faturat e energjisë elektrike, ujit dhe tarifa e pastrimit, duket se paguhet rregullisht dhe në kohë, ndërsa për taksën e ndërtesës, eficenca e pagesave duket të jetë më e ulët, gjithmonë sipas përgjigjeve që kanë dhënë njerëzit për to. 80% e të pyeturve thonë se çmimi i energjisë elektrike është i shtrenjtë, ndërsa për çmimin e ujit, janë 62% e tyre që ankohen për fatura të larta.
Me gjithë ndërgjegjësimin për të paguar këto detyrime, bindja se paratë që njerëzit paguajnë nuk u kthehen mbrapsht në formën e shërbimeve mbetet e lartë.
Të dhënat e mbledhura në pyetësor janë marrë tek 950 persona në 6 bashki të vendit, Tiranë, Shkodër, Kukës, Elbasan, Himarë e Fier.









