6 janari simbolizon ditën e shenjtë të Ujit të Bekuar që përcillet çdo vit si një festë e madhe për të gjithë besimtarët e krishterë. Pas ceremonisë në Kishë, besimtarët hidhen në ujë, me qëllim kapjen e kryqit.
Çfarë është dita e Ujit të Bekuar?
Në moshën 30-vjeçare, Krishti, Biri dhe Fjala e Perëndisë, u shfaq mbi ujërat e lumit Jordan, që të pagëzohet nga Joani Pararendësi dhe Pagëzor. Dhe Jezusi, sapo u pagëzua, qiejtë u hapën, dhe një zë nga qielli tha: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur”, shkruhet në ungjill. Dhe këtu e ka zanafillën besimi se uji i bekuar është mjet pastrimi i shpirtit të mëkatarit ndaj dhe çdo datë 6 janar besimtarët ortodokse bëhen pjesë e ritualit të Ditës së Ujit të Bekuar. Në këtë ditë të shenjtë, uji bëhet ikona e hirit të padukshëm të Perëndisë, që me anë të ujit dhe të Shpirtit i rilind, i pastron, i shenjtëron dhe i ndriçon njerëzit besimtarë në Krishtin.
Historiku
Fillimisht ishte vetëm një festë e “shfaqjes së Perëndisë” në botë, në formë njerëzore. Ajo përfshinte kremtimin e Lindjes së Krishtit, adhurimin e Magëve dhe gjithë ngjarjet e fëmijërisë, si rrethprerjen dhe paraqitjen në Tempull, si edhe pagëzimin prej Joanit në Jordan. Nuk ka dyshim, që kjo festë, si edhe Pashka dhe Rushajet, u kuptua si përmbushja e një feste të mëparshme judaike, në këtë rast, Festa e Dritave.
Kuptimësia
Epifani do të thotë shfaqje e sipërme. Festa quhet shpesh, sikurse është në librat e shërbesave ortodokse, Theofani, që do të thotë shfaqje e Perëndisë. Theksi në këtë festë është në shfaqjen e Jisuit, si Mesia njerëzor i Izraelit dhe Bir hyjnor i Perëndisë, Njëri nga Trinia e Shenjtë me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë. Kështu, në pagëzimin prej Joanit në Jordan, Jisui e identifikoi vetveten me mëkatarët, si “Qengji që ngre mëkatin e botës” (Joani 1:29), i “Dashuri” i Atit, detyra mesianike e të cilit është t’i çlirojë njerëzit prej mëkateve të tyre (Lluka 3:21; Marku 1:35). Dhe Ai është zbuluar si Njëri prej Trinisë së Shenjtë, i dëshmuar nga zëri i Atit dhe prej Shpirtit në formën e pëllumbit. Kjo është epifania qendrore, që lavdërohet në himnin kryesor të festës: Kur pagëzoheshe në Jordanin, o Zot, për ne, ahere falja e Trinisë së Shenjtë kudo u shfaq, se zëri i Atit po na dëshmonte për Ty faqeza dhe Bir të dashur të tij po të quante, edhe Shpirti i Shenjtë si një pëllumb, vërtetonte çdo fjalë me siguri. O Krisht Perëndi, që u shfaqe dhe ndriçove botën, lavdi më Ty! (Përlëshorja). U Shfaqe me lavdi, në tërë botën, edhe Drita Jote ndriçoi mbi ne sot, pra, të himnojmë me kuptim: Erdhe dhe zbulove vetveten, O Dritë e Paafruarshme (shkurtorja).