Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin dhe bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshin. Të dy akuzohen se u kapën duke blerë vota në Himarë për zgjedhjet lokale të 14 majit. Në njoftimin e SPAK thuhet se Beleri dhe Kokaveshi ofronin 50 euro për votë, e pas përfundimit të hetimeve, dosja i ka kaluar Gjykatës së Posaçme për të dhënë vendimin.
Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi u arrestuan 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 Majit, pas një hetimi të nisur nga Prokuroria e Vlorës në datën 8 Maj me dyshimet se shtabi elektoral i kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” po shpërndante para në këmbim të votave. I vendosur në “arrest me burg” që nga prangosja e tij, Beleri ka mohuar akuzat dhe e ka konsideruar hetimin ndaj tij sulm politik. Ndërsa Kokaveshi, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, është lënë në shtëpi.
Për arrestimin e Belerit ka reaguar disa herë Athina zyrtare, e cila ka “premtuar” se çështja do të bëhet një pengesë e madhe në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke pretenduar se arrestimi i kryebashkiakut të zgjedhur ka qenë i padrejtë.
Në përfundim të hetimeve paraprake të procedimit penal nr.111 të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (në datën 31.07.2023) kërkesën për gjykim në ngarkim të pandehurve: 1.Dhionisios Alfred Beleri, akuzuar për veprën penale veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 328 e 25 i Kodit Penal. 2. Pandeli Kokaveshi, akuzuar për veprën penale veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 328 e 25 i Kodit Penal.
Nga analiza një nga një dhe në unitet e provave të administruara gjatë hetimit, sikurse janë të dhënat e përftuara nga përgjimet audio/video, nga kqyrjet e telefonave, nga kqyrjet e akteve të ekspertimit kompjuterik, nga deklarimet e personave që kanë dijeni për veprën penale etj, rezulton se është e provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm që i pandehuri Dhionisios Alfred Beleri i ka ofruar shtetasit Arsen Rama shumat monetare prej 50 euro për çdo person që do të gjente Arseni, që do votonte për Belerin si kandidat për kryetar të Bashkisë Himarë, në zgjedhjet vendore të datës 14.05.2023, ndërsa vetë shtetasit Arsen Rama i ka premtuar si shpërblim për shërbimin që do të kryente shumën 300 euro.
I pandehuri Dhionisios Alfred Beleri ia ka dhënë shumat monetare Arsenit nëpërmjet të pandehurit tjetër Pandeli Kokaveshi, i cili ka qenë bashkëpunëtori i tij në kryerjen e këtij akti korruptiv dhe ky i fundit i ka dhënë shtetasit Arsen Rama tetë kartëmonedha të prerjes 5 000 lekëshe për tetë persona që do votonin në favor të shtetasit Dhionisios Alfred Beleri. Në rastin konkret të pandehurit e kanë kryer veprën penale me veprime aktive të kundërligjshme në dy forma të saj, si nëpërmjet premtimit dhe ofrimit të shumave monetare shtetasit Arsen Rama në mënyrë që ky i fundit të ndikonte tek vullneti i qytetarëve të tjerë për të siguruar vota në favor të të pandehurit Dhionisios Alfred Beleri në zgjedhjet vendore të datës 14.05.2023. Sqarim: Kërkesa për gjykim është pjesë e ushtrimit të ndjekjes penale. Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë.









