Një ditë më parë në komisariatin e policisë Gjirokastër u shoqërua prokurori Spartak Çoçoli, për llogari të një hetimi për korrupsion që po kryen Prokuroria e Krimeve të Rënda. Argjirolajm.net zbardh sot dinamikën e ngjarjes së djeshme. Prokurori Çoçoli ishte në sallën e gjyqit, ku po zhvillohej seanca për dhënien e masës së sigurisë ndaj dy të rinjve që u ndaluan pak ditë më parë me drogë. Në seancë shkojnë dy oficerë civilë, të cilët u prezantuan se kishin mbërritur nga Tirana. Ata kanë kërkuar të marrin kontakt me prokurorin Çoçoli, por gjyqtarja Mirela Kore u ka kërkuar të presin pasi ishte duke u zhvilluar gjyqi.
Në momentin kur trupi gjykues u tërhoq për të marrë vendim, prokurori Spartak Çoçoli doli jashtë. Aty ndeshet me dy agjentët, të cilët i kanë komunikuar se kishin diçka me të dhe i kërkuan të shkonte me ta. Prokurori ka refuzuar të bëjë diçka të tillë, duke iu thënë se nuk i njihte këta dy persona dhe se s’kishte arsye të shkonte me ta. Në këtë moment oficerët civilë të mbërritur nga Tirana njoftojnë sektorin e krimit ekonomik në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër.
Mbërrijnë në gjykatë tre punonjës policie të këtij sektori, të cilët nuk kishin dijeni për veprimet e kolegëve të tyre nga Tirana. Sidoqoftë është pritur derisa të përfundonte seanca gjyqësore, ku Spartak Çoçoli përfaqësonte organin e akuzës. Më pas prokurori Çoçoli dhe oficerët e policisë janë drejtuar drejt komisariatit të Gjirokastrës. Për një moment prokurori është ndier në siklet prej oficerëve dhe u ka thënë se ata po e ofendonin duke e shoqëruar në atë mënyrë, si të ishte ndonjë kriminel i rëndomtë.
Megjithatë ky moment u kapërcye. Nga ora 14:30 deri në orën 20:00 të mbrëmjes prokurori Çoçoli është mbajtur në komisariat, ku është pyetur rreth një çështje, ende të paqartë për momentin. Ai ka refuzuar të fliste dhe nënshkruante dokumente pa qenë i pranishëm edhe avokati i tij. Ndërkohë oficerët e ardhur nga Tirana kanë ushtruar edhe një kontroll në zyrën e prokurorit, ku nga të dhënat e deritanishme mësohet se s’kanë gjetur asgjë kompromentuese. Po kështu i kanë sekuestruar edhe aparatin e tij celular. Aktualisht celulari i prokurorit Spartak Çoçoli është i sekuestruar.
Burime të Argjirolajm.net thonë se çështja për të cilën dyshohet për korrupsion prokurori Spartak Çoçoli, ka të bëjë me një incident të ndodhur në Tepelenë mes dy personave, makinat e të cilëve ishin bllokuar nga policia. Prokurori Çoçoli ditët e fundit kishte marrë vendim për zhbllokimin e njërit prej automjeteve. Pala tjetër, dyshon se ky vendim i tij është i padrejtë dhe është marrë kundrejt ryshfetit, prandaj edhe kanë bërë denoncim ndaj Çoçolit. Nga të dhënat e deritanishme, mendohet se oficerët e mbërritur nga Tirana kishin ardhur për të kryer arrestim në kushtet e flagrancës për prokurorin Spartak Çoçoli.
Ndoshta ata kanë pasur numrat e serisë së kartmonedhave që është pretenduar se janë përdorur në këtë rast. Por faktikisht prokurorit Çoçoli nuk i kanë gjetur para me vete dhe as në zyrën e tij, prandaj oficerët nga Tiranë dolën blof me aksionin e tyre. Pas rreth 6 orësh në komisartiatin e Gjirokastrës, prokurori është lënë i lirë. Ndërkohë vetë Prokuroria për Krime të Rënda, doli me një deklaratë ku sqaronte se është duke kryer hetime në lidhje me procedimin penal nr. 08/2019 për veprat penale të parashikuara nga nenet 319 dhe 319/ç.
“Prokuroria për Krime të Rënda nuk ka kërkuar asnjë masë sigurimi personal në Gjykatën e Krimeve të Renda për prokurorin Spartak Çoçoli. Po ashtu dhe policia nuk ka proceduar me arrest në flagrancë. Pra, nuk ka as urdhër ndalimi nga prokuroria dhe as vendim gjykate për arrestim dhe as arrest flagrance nga policia. Prokuroria për Krime të Renda po kryhen veprime hetimore lidhur me këtë procedim”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
©argjiroja.net









